
I penduari i Drejtësisë, Erion Alibej ka vijuar të zbardhë detaje të grupeve kriminale në vend. Ditën e sotme ai ka folur për vrasjen e Dorian Shkozës, krahut të djathtë të Talo Çelës.
Ishte pikërisht kjo lidhje e Shkozës me Çelën që e bënte Shkozën shënjestër të Alibejt aso kohe. Pas vrasjes së Shkozës për të cilin pagoi 100 mijë euro, Alibej rrëfen për bisedat me Nuredin Dumanin, edhe ky i penduar i drejtësisë. Në një dëshmi ekskluzive, Alibej tregon se kishte kontakte të drejtpërdrejta me Nuredinin dhe se ishte i përfshirë në dhënien e armëve dhe makinave për një plan që synonte vrasjen e Altin Ndocit dhe Besmir Haxhisë. Viktori Haxhia, sipas tij, ka qenë vetëm rastësisht në makinë dhe nuk ishte objektivi kryesor.
Alibej thotë se Nuredini kishte bashkëpunim me çunat e Fushë-Krujës por nuk identifikon dot. Një makinë Toyota, e vjedhur në Shijak dhe e blerë nga Alibej, iu dorëzua Nuredinit bashkë me armët që ai kërkonte, në Pazar të Rrogozhinës, në praninë e Klevis Allës. Pas kësaj, Nuredini kërkoi edhe 50 mijë euro, por Alibej i çoi 150 mijë për të siguruar besimin e tij.
“Me Nuredinin flisja për Talo Çelën, që pas vrasjes së Dorjan Shkozës do të bëhej i gjallë apo jo. Gjithashtu vijoja investigimin për Altin Ndocin; ky shkonte shpesh në Durrës te vëllezërit Haxhia. Klevis Alla kishte parë një ditë Talon te shtëpia e vëllezërve Haxhia, por Nuredini e mori me rezerva.
Nuredini është angazhu me qenë i përgatit me “çunat e Fushë-Krujës”, por emrat e tyre s’i dija. Në Sky ECC më shkruan Plarent Dervishi; kam pasur kontakt me të, ai kishte kodet “Barcelona” dhe “Gost”. Plarenti më tha: “M’bohet qejfi që e ke gjet Talo Çelën.” Unë u habita nga e dinte ky, pastaj u kujtova që Plarenti kishte shumë muhabet me Festim Qolin.
Kishim një makinë Toyota të vjedhur që e kisha blerë në Shijak, ja dhashë Nuredinit dhe armët që ai donte, ja dhashë te pazari i Rrogozhinës. Ishte me Klevis Allën kur e mori. Më pas, Nuredini kërkoi dhe 50 mijë euro; ja çova me një mikun tim dhe i çova 150 mijë për të vijuar. Këtë e bëra që edhe Nuredini të shikonte që unë kisha lekë dhe të kishte besim.”- dëshmoi Alibej.
Alibej rrëfen se i ka dhënë Nuredinit dy kallashnikovë dhe një pistoletë për vrasjen e vëllezërve Haxhia, si dhe makinën Toyota që përdorej në operacion. Plani sipas tij ishte që të ekzekutoheshin Altin Ndoci dhe Besmir Haxhia, ndërsa Viktori Haxhia nuk ishte objektivi.
“Kur pash lajmin në televizion për gjetjen e makinës Toyota të braktisur dhe shenjat e gjakut brenda, e pyeta Nuredinin pse ka shenja gjaku në makinë. Ai më tha që kanë qëlluar xhamat dhe njëri nga këmbët e ka lënduar nga copat e thyer,” rrëfen Alibej. Më vonë, “nipi” u arrestua dhe Nuredini dyshoi se ai kishte filluar të fliste, pas informacioneve që kishte marrë nga komshinjtë, përfshirë “Miri Pojes”, një mik i tij.
Sipas Alibejt, Viktori Haxhia ishte rastësisht aty dhe Altin Ndoci kishte zbritur në rrugë, prandaj ata nuk e kishin ditur që në makinë ishte Viktori dhe kishin menduar se ishte Altin Ndoci.
“Diskutoja me Nuredinin edhe për varrimin e vëllezërve Haxhia, sepse kishte mundësi që Altin Ndoci të ekzekutohej edhe gjatë ditës së varrimit. Unë isha për këtë, por nuk u bë sepse ai nuk shkoi në varrim,” shton ai.
Alibej tregon se i ka siguruar Nuredinit edhe veshje speciale, si ato të OFL-së dhe policisë, të blera nga një mik i tij në Kukës, Bujar Germizi. “Veshjet janë bërë në Kosovë, unë i mora në Kukës dhe ia dhashë Nuredinit,” thekson ai.
Pas vrasjes, ai mësoi se Talo Çela kishte qëndruar në shtëpinë e vëllezërve Haxhia. Ndërkohë, Nuredini ishte larguar me familjen në Spille dhe nuk dinte nëse po flitej për të, pasi policia i kishte shkuar në banesë, por ai ishte larguar. Alibej tregon se komunikonin vazhdimisht përmes platformës së koduar Sky ECC.
Më tha: “kemi gjuajtur me xhama mbyll dhe nga ciflat është lënduar në këmbë “Kusho”-ja”. Pastaj u shoqërua “nipi” në polici dhe Nuredini m’tha: “M’duket se ky po flet”! Dhe sa mora vesh e kishte marrë vesh nga komshinjtë, nga “Miri i Pojes” që Nuredini e kishte mik.
Makina Toyota ishte në pronësi të Alban Qerosit, i cili njihet si shok dhe ortak në narkotrafik me Endritin dhe jeton në Bruksel. “Në Sky ECC përdorja kodet ‘Lizz’ dhe ‘Kumi’, ndërsa në Enkro Chat përdorja ‘Noku’,” përfundon ai. Versus.al







