Në garën për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë regjistruar 13 kandidatë, ndër të cilët spikasin emra të njohur nga radhët e Policisë së Shtetit dhe prokurorisë. Dy nga kandidatët më të shquar janë Gledis Nano dhe Haki Çako, të cilët më parë kanë drejtuar Policinë e Shtetit.
Gledis Nano aplikoi më 6 qershor, në ditën e fundit të afatit. Ai ka drejtuar Policinë e Shtetit për 10 muaj (tetor 2021 - gusht 2022), por u shkarkua për mosrealizim të objektivave të punës. Nano është një oficer me përvojë të gjatë në drejtim të operacioneve policore, veçanërisht në fushën e antiterrorizmit, ku u vlerësua edhe nga partnerët amerikanë.
Haki Çako mbajti detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për rreth 3 vite dhe aktualisht është drejtues i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Ai ka një karrierë të gjatë në polici, duke drejtuar edhe operacione të rëndësishme, siç ishte ai në Lazarat kundër kultivimit të kanabisit.
Në listën e kandidatëve përfshihen edhe emra të tjerë me përvojë të gjatë në polici dhe drejtësi, si:
Artur Beu, specialist i marrëdhënieve ndërkombëtare në Interpol dhe kandidat i mëparshëm për BKH;
Gentian Ndoi, ish-drejtor i Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Policinë e Shtetit;
Gentjan Shehaj, ish-drejtor i Policisë së Vlorës;
Joni Keta, zëvendësdrejtor aktual i BKH-së;
Elton Kërluku, hetues financiar në BKH;
Andi Pogaçe, prokuror në Tiranë me përvojë në këshillim ligjor;
Astrit Halilaj, ish-prokuror me eksperiencë të gjatë në polici dhe prokurori;
Marinela Pilinçi, oficere policie gjyqësore në Prokurorinë e Pogradecit;
Nevrus Ndregjoni, oficer policie gjyqësore në Elbasan;
Maoricio Sheldija, inspektor në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore;
Miklovan Kanani, për të cilin nuk ka informacione publike.
Procesi i përzgjedhjes
Emërimi i kreut të BKH-së do të ndjekë një proces në gjashtë faza: verifikimi i aplikimit, vizita mjekësore dhe testi fizik, ese dhe test arsyetimi logjik, testi i poligrafit dhe intervista në panel, verifikimi i figurës dhe pasurisë, dhe përzgjedhja përfundimtare.
Nga kjo përzgjedhje do të dalin katër kandidatë me potencial më të madh, të cilët i paraqiten drejtuesit të SPAK, Altin Dumani. Ai do të bëjë përzgjedhjen përfundimtare, ndërsa emri i fituesit do t’i dorëzohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë për miratim të mandatit 5-vjeçar.
Aktualisht BKH drejtohet nga Aida Hajnaj, e cila do të përfundojë mandatin më 31 gusht. /Versus.al







