
Policia Kombëtare e Republikës Domenikane, përmes Zyrës Qendrore Kombëtare të INTERPOL Santo Domingo (NCB), ka arrestuar 40-vjeçarin shqiptar Soni Pepa, i shpallur në kërkim nga autoritetet gjyqësore në Shqipëri me kod të kuq, për përfshirje të dyshuar në trafik ndërkombëtar droge.
Pepa rezulton i lidhur me një ngarkesë prej 11 tonë kokaine, mes të cilës edhe 600 kilogramë të sekuestruara në Roterdam të Holandës në nëntor të vitit 2020, si dhe me financimin e një tjetër sasie prej 10 kilogramësh në të njëjtin qytet.
Sipas raporteve ndërkombëtare, ai bënte pjesë në një rrjet kriminal transnacional që operonte mes Europës dhe Amerikës së Jugut, duke përdorur portin e Villetas në Paraguaj si pikë nisjeje për ngarkesat me destinacion Belgjikën.
Arrestimi i tij u krye më 3 shtator, në Distriktin Kombëtar të Santo Domingos, ku iu gjetën një pasaportë shqiptare, disa dokumente italiane, pesë telefona të koduar dhe një shumë parash.
Pas ndalimit, ai iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Emigracionit për procedurat e deportimit, në bashkëpunim me OCN-INTERPOL Santo Domingo./Domenicatoday







