Kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta do t’i komunikohet ditën e sotme mbyllja e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) lidhur me dosjen hetimore të lobimit të ish-LSI në SHBA dhe për aferën CEZ-DIA.
Rreth orës 11:00 Meta do të lërë qelinë e paraburgimit për t’u paraqitur në SPAK së bashku me avokatin e tij Kujtim Cakrani për të firmosur mbi mbylljen e hetimeve.
Ish-presidenti u arrestua më 21 tetor të vitit të kaluar falë një operacioni të papritur nga forcat Operacionale në hyrje të Tiranës ku po kthehej pas vizitës në Kosovë. Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Për të njëjtat vepra penale akuzohet edhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi.
Gjithashtu e pandehur mbi dosjen hetimore ndaj ish-çiftit është edhe Fatime Kryemadhi, e ëma e deputetes aktuale të PL, Monika Kryemadhi. Sipas kësaj të fundit, SPAK e akuzon nënën e saj se e ka ndihmuar atë në pastrim parash.
Të pandehur janë edhe Pirro Xhixho për korrupsion pasiv dhe Ema Çoku për pastrim parash. Versus.al







