Ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Drashkoviç, ka bërë thirrje të qarta për një ndryshim rrënjësor në politikën shtetërore serbe ndaj Kosovës, duke kërkuar pranimin e realitetit dhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës dhe Interpoli.
Në një intervistë për gazetën malazeze Pobjeda, Drashkoviç deklaroi se është zëri i vetëm në Serbi që ka dalë publikisht në mbështetje të kësaj linje, duke sfiduar hapur retorikën nacionaliste dhe qëndrimin zyrtar të Beogradit.
“Kam kërkuar që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës dhe në Interpol, dhe që Serbia të anëtarësohet në NATO,” – tha ai, duke theksuar se pa përballje me të kaluarën dhe pa njohjen e së vërtetës, Serbia nuk ka të ardhme evropiane.
Zhgënjimi me Vuçiçin dhe kthimi pas në politikë
Drashkoviç kujtoi se në fillimet e viteve 2010 kishte pasur shpresa te Aleksandar Vuçiç, i cili publikisht kishte pranuar gabimet e së kaluarës. Ai përmendi artikullin e Vuçiçit në gazetën Danas, ku ky i fundit kishte dënuar politikën shkatërrimtare të viteve ’90.
“Atëherë besoja në një kthesë të sinqertë. Mbështeta Marrëveshjen e Brukselit më 2013, por ajo u sabotua nga opozita dhe Kisha Ortodokse Serbe.”
Sipas tij, Kisha e kishte shpallur “tradhtarë” nënshkruesit e marrëveshjes, ndërsa opozita kishte zgjedhur përfitimin politik në vend të përkrahjes për normalizim.
Paralajmërim për rënie morale dhe shpërbërje shoqërore
Drashkoviç tha se ka paralajmëruar shpesh Vuçiçin, duke e këshilluar të mos mashtrojë popullin me projekte infrastrukturore ndërkohë që vendi kalon një krizë më të thellë shpirtërore.
“Nuk jetojmë vetëm me bukë, por edhe me frymë. Serbia po kalon një rënie të thellë morale dhe kulturore,” – u shpreh ai.
Ai kritikoi ashpër gjuhën denigruese ndaj protestuesve, duke thënë se presidenti dhe bashkëpunëtorët e tij i kanë quajtur qytetarët e pakënaqur “ustashë, nazistë, spiunë të huaj dhe plehra”. /Versus.al







