Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me arratisjen e Altin Ndocit nga Burgu i Durrësit.
Sipas burimeve për mediat, Ndoci i cili prej dy ditësh ndodhej i shtruar në repartin e Infektivit në Spitalin Rajonal të Durrësit për shkak të problemeve shëndetësore.
Mësohet se gjatë qëndrimit në spital, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet, i shoqëruar nga dy efektivë të Policisë së Burgjeve.
Në momentin që ka dalë prej andej, ai i ka goditur efektivët dhe është larguar me shpejtësi nga kati i tretë i spitalit, duke zbritur shkallët dhe duke u zhdukur brenda pak çastesh ndërsa dyshohet se në parkimin e spitalit e priste një automjet tip Audi A7.
Njëri prej policëve ka qëlluar me armë në ajër në përpjekje për ta ndalur, por i burgosuri nuk është ndalur dhe ka vijuar arratisjen. Dyshohet se ai është drejtuar drejt zonës së Spitallës, ndërsa policia ka ngritur postoblloqe në të gjitha hyrje-daljet e qytetit të Durrësit.
Në një deklaratë zyrtare, Policia e Burgjeve bëri me dije se Altin Ndoci ishte shoqëruar në Spitalin Rajonal të Durrësit për vizita mjekësore, të zhvilluara në repartin e Infektivit, i cili ka edhe sektor sigurie për të dënuarit. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të sigurisë, ai arriti të largohej.
Autoritetet bëjnë me dije se strukturat përkatëse janë angazhuar maksimalisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si edhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./Versus.al


