
Prokurori Ignacio Castillo Val, drejtor i Njësisë së Specializuar kundër Krimit të Organizuar, Trafikut të Paligjshëm të Narkotikëve, Armëve dhe Pastrimit të Parave në Prokurorinë Kombëtare të Republikës së Kilit, ka folur për herë të parë në mënyrë të detajuar mbi praninë e mafias shqiptare në Amerikën Latine dhe veçanërisht në Kili.
Në një intervistë për gazetaren Alba Kepi, Val ka nxjerrë në pah një element alarmues të zgjerimit të kriminalitetit shqiptar në Amerikën Latine, kërkimin e porteve dhe rrugëve të reja për trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Sipas autoriteteve kiliane, organizatat kriminale shqiptare nuk janë më thjesht ndërmjetëse apo grupe të lidhura me trafikun, por po shfaqen si aktorë të integruar në logjistikën dhe shpërndarjen ndërkombëtare të drogës, duke ndërtuar lidhje të forta me kartelet latino-amerikane dhe organizatat kriminale në rajon.
Prokurori Castillo Val konfirmon se në tre-katër vitet e fundit është rritur prania e shqiptarëve në Kili, ndërsa hetimet kanë evidentuar përfshirjen e tyre në trafikun e kokainës dhe në rrjetet e transportit të narkotikëve. Ai thekson se portet kiliane nga Valparaíso, San Antonio, Iquique, Antofagasta deri në Arica, po konsiderohen pika strategjike për daljen e drogës drejt Evropës, Azisë dhe Australisë.
Sipas analizës së autoriteteve kiliane, grupet shqiptare po diversifikojnë rrugët e trafikut, duke mos u mbështetur më vetëm tek portet tradicionale të Ekuadorit apo Kolumbisë, por duke eksploruar edhe korridore të reja përmes Kilit dhe Perusë. Kjo strategji lidhet me rritjen e kontrolleve ndërkombëtare në portet historikisht më të përdorura nga kartelet e drogës.
Një tjetër element domethënës është fakti se, sipas prokurorit kilian, shqiptarët kanë krijuar aleanca të forta me organizata kriminale venezueliane, kolumbiane, peruane dhe me PCC-në braziliane, duke u integruar në zinxhirin global të trafikut të kokainës. (PCC- Primeiro Comando da Capital, organizata më e fuqishme kriminale e Amerikës së Jugut e një nga më të fuqishmet në botë me rreth 40 mijë anëtarë).
Intervista konfirmon gjithashtu se autoritetet kiliane e konsiderojnë tashmë praninë e mafias shqiptare një rrezik konkret për sigurinë rajonale dhe po monitorojnë me vëmendje zgjerimin e aktivitetit të tyre në Amerikën Latine.
Alba Kepi: Faleminderit Prokuror. Një prezantim: emri juaj dhe funksioni juaj.
Ignacio Castillo Val: Jam Ignacio Castillo Val, prokuror dhe Drejtor i Njësisë së Specializuar kundër Krimit të Organizuar dhe Drogës pranë Prokurorisë Kombëtare të Kilit.
Alba Kepi: Kohët e fundit mediat në Kili kanë ngritur shqetësimin për praninë e mafias shqiptare në Kili. Prej sa kohësh mafia shqiptare është e pranishme në vendin tuaj?
Ignacio Castillo Val: Po, është e vërtetë. Kemi pasur disa informacione për mafian shqiptare jo vetëm në Kili, por edhe në vende të tjera të rajonit latino-amerikan, sidomos në zonën e Konit Jugor (megarajoni i Amerikës Latine që përfshin Argentinën, Kili, Paraguay e Uruguay).
Prania e organizatave mafioze shqiptare daton prej rreth dhjetë vitesh në Amerikën Latine, sidomos në Kolumbi, Brazil, Bolivi dhe tani edhe në Ekuador.
Ekuadori ka pasur një rritje shumë të fortë të aktivitetit të krimit të organizuar dhe ka raportime për shqiptarë të mafias shqiptare që ndodhen atje. Edhe në Bolivi kemi pasur lajme për rivalitete dhe madje për vrasje mes shqiptarësh të familjeve të ndryshme.
Në Kili, fenomeni i mafias shqiptare është relativisht i ri, prej tre ose katër vitesh, jo më shumë. Në fakt kemi pasur disa hetime ku kemi konstatuar praninë e mafias shqiptare. Kemi pasur edhe shqiptarë të dënuar për trafik droge.
Pra shqiptarët nuk janë vetëm në Kili, por kanë lidhje shumë të forta me kriminalitetin dhe me grupet kriminale latino-amerikane. Ata kanë marrëdhënie shumë të afërta, për shembull me organizatat kriminale kolumbiane dhe me PCC-në braziliane.
Alba Kepi: Po mafia shqiptare në Kili bën biznes me mafian kiliane?
Ignacio Castillo Val: Jo. Në fakt nuk kemi pasur hetime që të tregojnë lidhje mes mafias shqiptare dhe një mafie kiliane, sepse në Kili nuk kemi një mafi kiliane si të tillë.
Ajo që ka ndodhur vitet e fundit në Kili është një ndryshim shumë i madh me hyrjen e organizatave ndërkombëtare, sidomos venezueliane, kolumbiane, ekuadoriane dhe peruane, të cilat kanë sjellë krimin e organizuar në Kili.
Me to kemi pasur hetime, sidomos për trafikun e drogës, por jo me kilianë, por me shtetas të tjerë latino-amerikanë që përdorin portet kiliane për trafikun e drogës.
Alba Kepi: Atëherë shqiptarët në Kili janë si brokerë apo si korrierë e transportues? Çfarë bëjnë për mafian?
Ignacio Castillo Val: Do të thosha se shqiptarët në Amerikën Latine kanë role të ndryshme. Ata fillimisht hynë në marrëdhënie me krimin e organizuar, sidomos në fushën e sigurisë, dhe kryenin krimet më të rënda, si vrasje dhe të tjera.
Më pas nisën të kenë një lidhje shumë më të ngushtë me trafikun e paligjshëm, prandaj u integruan në trafikun e drogës.
Në Kili, hetimet tona për shqiptarët lidhen pikërisht me logjistikën, transportin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Alba Kepi: Dhe kokaina merret nga?
Ignacio Castillo Val: Nga Bolivia, sidomos nga Bolivia, por edhe nga Peruja.
Alba Kepi: A keni kryer operacione ku janë arrestuar shqiptarë?
Ignacio Castillo Val: Po, kemi pasur dy operacione të rëndësishme, dhe në njërin prej tyre ka pasur edhe shqiptar të dënuar.
Alba Kepi: Shqiptarë të arrestuar dhe të dënuar?
Ignacio Castillo Val: Po shqiptarë
Alba Kepi: Gjithmonë për trafik kokaine?
Ignacio Castillo Val: Po, kryesisht për trafik kokaine. Kemi pasur edhe hetime të tjera ku dyshojmë për lidhje, edhe pse nuk kemi pasur arrestime, por dimë që një shqiptar ishte i përfshirë në një operacion me ketaminë, një drogë sintetike që po bëhet shumë e përhapur në Amerikën Latine.
Alba Kepi: A keni sinjalizime se mafia shqiptare është infiltruar në ekonominë kiliane?
Ignacio Castillo Val: Jo, deri tani nuk kemi asnjë informacion për infiltrimin e mafias shqiptare në ekonominë kiliane. Nuk mund ta përjashtoj, por nuk kemi pasur asnjë hetim për këtë.
Alba Kepi: Po pse në Kili flitet kaq shumë për mafian shqiptare kohët e fundit?
Ignacio Castillo Val: Nuk është se kemi një mafia kiliane shumë të fortë. Historia e Kilit nuk është histori mafies të fuqishme si në vende të tjera.
Është e vërtetë që gjithmonë kemi pasur krim të organizuar, ai ishte shumë i lidhur me trafikun e drogës dhe me klane familjare. Familjet kishin kontroll mbi territore të caktuara, por jo një kontroll të dhunshëm; ishte më shumë kontroll i shpërndarjes së drogës, i tregjeve të drogës.
Vetëm në pesë-shtatë vitet e fundit organizata të tjera, sidomos venezueliane, kolumbiane, ekuadoriane dhe peruane, kanë hyrë në Kili. Ato janë përplasur me grupet kiliane dhe i kanë dobësuar ato.
Aktualisht marrëdhëniet e shqiptarëve janë me këto organizime, jo me mafian kiliane. Këtë kemi parë në hetimet tona.
Alba Kepi: Dhe sipas analizave tuaja, çfarë gjejnë ata në Kili? Më përmendët më parë portet.
Ignacio Castillo Val: Jo vetëm për Evropën, por edhe për Shtetet e Bashkuara, sidomos sepse sot ekziston një treg shumë i fortë drejt Azisë dhe Australisë.
Por Kili ka edhe një sistem ekonomik që e bën më të lehtë menaxhimin e parave dhe fshehjen e origjinës së tyre të paligjshme.
Alba Kepi: Për transferimin e parave?
Ignacio Castillo Val: Edhe për atë.
Alba Kepi: Cilët janë portet e Kilit që ju shqetësojnë më shumë?
Ignacio Castillo Val: Sidomos portet nga Valparaíso deri në veri: San Antonio, Valparaíso, Iquique, Antofagasta dhe Arica. Këto janë portet më të rëndësishme të Kilit.
Problemi sot është se këta shqiptarë kanë marrëdhënie shumë të forta me organizata që kontrollojnë edhe porte të tjera në Amerikën Latine. Në Ekuador, për shembull, Guayaquil dhe porte të tjera. Mund të jenë rrezik edhe portet peruane, për shembull porti i ri që është financuar nga kinezët.
Alba Kepi: Pra ideja është sikur po krijohet një rrugë e re për trafikun e kokainës, ndoshta përmes Kilit?
Ignacio Castillo Val: Ndoshta jo vetëm përmes Kilit, por ata dinë si të përdorin porte të ndryshme. Të diversifikojnë rrugët, jo vetëm në Kili, por edhe në Ekuador e Peru.
Alba Kepi: A keni marrëdhënie me autoritetet shqiptare të drejtësisë apo policisë?
Ignacio Castillo Val: Po, kemi pasur disa kontakte dhe shkëmbim informacioni. Kjo është shumë pozitive. Por dua të them se nuk kemi pasur shumë raste, vetëm disa. Megjithatë jemi shumë të vëmendshëm ndaj rrezikut që paraqesin këto organizata shqiptare.

