Gjykata e Krimeve të Rënda në Bruksel dënoi mbrëmjen e djeshme Franc Çopjan me 25 vite burg për vrasjen e Ardit Spahiut më 27 nëntor 2020 në Sint-Jans-Molenbeek.
Ditën e djeshme, Versus.al raportoi se prokuroria kishte kërkuar burgim përjetë për Franc Çopjan alias Gergley i cili kërkoi mëshirë duke u shprehur se ishte i ri për ta mbyllur jetën në burg.
Ndërsa autori i dytë i arrestuar për këtë vrasje, Mikael Qosja u dënua me burgim të përjetshëm. Gjykata nuk gjeti rrethana lehtësuese. Nga ana tjetër Flobenc Meçja i cili kreu ekzekutimin mori gjithashtu dënim të përjetshëm.
Përveç kësaj, gjykata dënoi Elton Rocin me 20 vjet burg, Elvis Muratajn me tetë vjet dhe Eljo Bitrin me pesë vjet. Ky i fundit bashkëpunoi me prokurorinë që nga nëntori i vitit 2023 dhe që atëherë ka qenë dëshmitar i mbrojtur. Sipas gjykatës, Bitri u zotua që të vazhdojë një jetë të re duke thënë se e kishte kuptuar gabimin e kryer.
Urdhrin për ekzekutimin e Spahiut, e ka dhënë Franc Çopja nga Dubai në vitin 2020. Viktima ishte zhvendosur në Belgjikë në vitin 2019 pasi i rrezikohej jeta në Shqipëri. Spahiu u qëllua nëntë herë dhe mori tetëmbëdhjetë plagë me armë zjarri. Mediat belge shkruajnë se në Shqipëri zhvillohet një luftë klanesh mes Erion Alibejt dhe Çopjave. Falë zbardhjes së komunikimeve në “Sky Ecc” u arrit të zbulohej krimi i urdhëruar nga Emiratet e Bashkuara. Franc dhe Hajdar Çopja konsiderohen si krerët e një “perandorie” të ngritur me të ardhura nga trafiku i tonelatave drogë nga Amerika Latine drejt vendeve të Evropës. Në Shqipëri autoritetet kanë sekuestruar pasuri të tyre me vlerë miliona euro. Versus.al


