AKTUALITET /

Kolaps total i trafikut, ARRSH me plani të ri për punimet në rrugën Tiranë-Durrës: Bllokimi do bëhet nga ora 23:00

Për të shmangur trafikun e krijuar, ARRSH njofton se punimet do bëhen nga ora 23:00 e darkës deri në 06:00 të mëngjesit.

Shkruar nga Versus

Kolaps total i trafikut, ARRSH me plani të ri për punimet në

Pas bllokimit total të qarkullimit të shkaktuar si pasojë e punimeve në rrugën Tiranë-Durrës duke ndikuar edhe në akset dytësore, ARRSH ka dalë me një njoftim mbi ndryshimin e planit të punimeve për të mundësuar rehabilitimin e rrugës nga Vora tek Ura e Dajlanit.

Në njoftimin e publikuar bëhet me dije se si pasojë e trafikut kilometrik dhe me qëllim garantimin e sigurisë rrugore, duke filluar që prej mbrëmjes së sotme në orën 23:00 deri nesër në orën 06:00 do të zbatohet bllokimi i përkohshëm i qarkullimit në drejtimin Vorë–Durrës, në këto segmente:

* Vorë – Maminas

* Maminas – Sukth

* Sukth – Fllakë

* Fllakë – Mbikalimi i Shkozetit

* Mbikalimi i Shkozetit – Ura e Dajlanit

Kohëzgjatja e punimeve parashikohet të jetë 1 deri në 2 ditë për çdo segment, në varësi të kushteve atmosferike dhe progresit të punës.

Gjatë orareve të mbylljes së qarkullimit, përdoruesit e rrugës do të duhet të ndjekin rrugën alternative: Vorë – Maminas – Katër rrugët e Shijakut – Durrës.

Pas përfundimit të punimeve në drejtimin Vorë–Durrës, do të vijojë ndërhyrja edhe në kahun tjetër të autostradës, Ura e Dajlanit – Vorë, duke ndjekur të njëjtin plan pune dhe afat kohor për çdo segment.

ARRSH në njoftimin e saj thekson se ndërhyrja në këtë aks rrugor është e domosdoshme për rehabilitimin e infrastrukturës dhe rritjen e cilësisë së shërbimit për përdoruesit. Institucioni kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke i ftuar të përdorin rrugët alternative në oraret e planifikuara të punimeve, për të kontribuar në mbarëvajtjen e procesit.

“Në përfundim të ndërhyrjes, autostrada Tiranë–Durrës do të ofrojë një standard më të lartë sigurie dhe komoditeti, duke reduktuar ndjeshëm problematikat aktuale të trafikut dhe amortizimit të shtresave rrugore”- thuhet mes të tjerash në njoftim. Versus.al

Poll