Kavajë- Dy vëllezër janë shpallur në kërkim nga policia pasi kanë plagosur me armë zjarri një 43 vjeçar në fshatin Luz i Vogël.
Dyshohet se plagosja ka ardhur si pasojë e konflikteve për pronën. Ndërsa njëri prej dy vëllezërve ka qëlluar me armë zjarri ndaj E.D, 43 vjeç duke e lënë të plagosur në këmbë, jashtë rrezikut për jetën.
Policia është vënë në kërkim të dy vëllezërve, konkretisht F. D. alias B. T., 32 vjeç, dhe V. T., 26 vjeç, banues në fshatin Luz i Vogël, Kavajë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Kujtojmë që me këtë rast bëhen 3 të arratisur brenda ditës, pasi një ngjarje e ngjashme ndodhi edhe në Velipojë gjatë pasdites, ku një 33 vjeçar ia mbathi nga vendngjarja pasi kërcënoi me armë zjarri kuzhinierin e lokalit pas një konflikti që kishte pasur me të. Versus.al







