Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është zhvilluar të martën e 30 shtatorit një seancë lidhur me një dosje penale që ka qarkulluar sa në SPAK dhe sa në Prokurorinë e kryeqytetit. Bëhet fjalë për kallëzimin e shtetasit Ledion Mziu, banor i lagjes “5 Maj”, që u prek nga shembjet banesave e bizneseve nga ana e Bashkisë për ti hapur rrugë ndërtimit të pallateve.
Dosja është kthyer në SPAK pas një vendimi të Gjykatës së Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë. Kjo e fundit shqyrtoi ankimin e shtetasit Ledion Mziu, mbi vendimin e Shkallës së Parë që pushoi çështjen me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës. Apeli doli kundër vendimit të gjyqtarit Gerd Hoxha për procedimin penal nr 1782 i vitit 2022, dhe konstatoi se kjo çështje është kompetencë e organit special.
Por SPAK përmes prokurorit Elvin Gokaj tha të hënën para gjyqtares Rudina Palloi se organi hetues që ai përfaqëson nuk mund të orientohet nga një gjykatë e një juridiksioni tjetër siç është ajo e Apelit të Tiranës. Në këto kushte sugjeroi Gokaj, ti jepet kohë për regjistrimin e procedimit penal, kërkesë që u aprovua nga Gjykata. Burime pranë SPAK konfirmuan se pas këtij vendimi po pritet ardhja e akteve nga Juridiksioni i zakonshëm dhe menjëherë pas kësaj do të procedohet me regjistrimin e procedimit penal. Të kallëzuarit bga qytetari Ledion Mziu janë Erion Veliaj, Mariglen Qato, Ermal Kapllanaj dhe Arben Caka. Veprat penale për të cilat akuzohen janë shpërdorim detyre, shkatërrim prone dhe heqje e paligjshme e lirisë. Kujtojmë se kallëzimi fillimisht ishte bërë në SPAK por kjo e fundit shpalli moskompetencë duke ia kaluar Tiranës me arsyetimin se ndonëse i kallëzuar ishte zyrtari Erion Veliaj, vendimmarrja për prishjen e objekteve dhe më pas ekzekutimi i tyre është në kompetencë të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit. Kryeinspektori dhe Inspektorët e këtij Inspektorati thoshte SPAK, nuk përfshihen në rrethin e subjekteve të posaçëm. Versus.al







