AKTUALITET /

Gjyqi i “SkyEcc” në Belgjikë, kreu i klanit shqiptar mohon akuzat! Prokuroria: Bëri operacion plastik në Spanjë

Mediat e huaja nuk e kanë zbuluar emrin e bosit shqiptar që po gjykohet në Belgjikë, por mes pretendimeve të prokurorisë ka qenë edhe dyshimi se ai kishte kryer operacion plastik në Spanjë.

Shkruar nga Versus
Gjyqi i “SkyEcc” në Belgjikë, kreu i klanit shqiptar mohon
Salla ku po zhvillohet gjyqi në Namur të Belgjikës

Të hënën më 29 shtator në Namur të Belgjikës ka nisur procesi gjyqësor i quajtur “SkyEcc” në të cilin janë marrë të pandehur 58 persona të cilët akuzohen për kultivim dhe shitje droge, pastrim parash, armëmbajtje pa leje dhe organizatë kriminale.

Në krye të kësaj organizate, mediat e huaja raportojnë se qëndron një shqiptar, por identiteti i tij nuk bëhet me dije ende. Fillimisht në gjyq ka dëshmuar vetë shqiptari i dyshuar si organizatori kryesor dhe krahu i tij i djathtë, më pas edhe shpërndarësit e drogës nëpër zona të ndryshme.

30 vjeçari shqiptar i mohoi akuzat duke thënë se po përpiqen që atij t’i faturohen të gjitha veprat penale.

“Më ngarkojnë me akuza nga të gjitha anët dhe më shumë se ç’duhet. Kur erdha në Belgjikë kisha nevojë për shumë para, por nuk i kam bërë keq askujt. Më vonë kam komunikuar me të tjerët përmes Sky ECC, por nuk ishin urdhra. Nuk e njoh veten fare në profilin që më atribuojnë”- mësohet të jetë shprehur shqiptari gjatë gjyqit.

Kirurgji dhe arratisje në Spanjë

Megjithatë, sjelljet e tij kanë qenë të pazakonta përballë akuzave.

Përgjimet kanë treguar se ai koordinoi aktivitetet në plantacionet e ndryshme ku shkonte personalisht. Sipas gjykatësit Hauquier, ai u arratis në Spanjë ndërsa kërkohej nga policia shqiptare.

Thuhet se atje iu nënshtrua një operacioni dhe ndryshoi emrin për të mos u gjetur.

“Kjo është plotësisht e pavërtetë, dhe operacioni ishte për një problem me septumin e hundës,” ka pretenduar shqiptari, ende i paidentifikuar.

Edhe bashkëshortja e tij është dashur të japë shpjegime për dyshime mbi pastrimin e parave dhe pjesëmarrjen në organizatë.

Ajo i hodhi poshtë akuzat me vendosmëri: “Nuk kam bërë asgjë të paligjshme dhe nuk kam asnjë lidhje me ndonjë organizatë.”

Motra e arrestuar në Itali

Një tjetër anëtare e familjes së udhëheqësit të dyshuar, motra e tij, ishte gjithashtu e pranishme. Ajo duhet të përgjigjej për akuzat e pastrimit të parave.

Dyshohet se ajo ka pranuar para në Shqipëri për t’i dërguar më pas në Belgjikë në formë huash familjare. Kur vëllai i saj u arrestua, ajo u bë menjëherë e dyshuar dhe u arrestua ndërsa ndodhej në Itali.

“Jam e habitur që ndodhem këtu,” tha ajo.

“Kam përdorur një telefon që ma dërgoi vëllai, por nuk e dija që kishte Sky ECC brenda.

Për më tepër, aty kishim vetëm biseda familjare. Duhet të them se që nga arrestimi i tij, ka pasur shumë konflikte në familje.

Të gjithë punojnë në fushën e drejtësisë dhe nuk duan më të kenë kontakte me të”./ Versus.al

Poll