
Të martën më 3 qershor, rreth 27 mijë maturantë në të gjithë vendin përballen me provimin e parë të Maturës Shtetërore , Gjuhën e Huaj. Ky test shënon hapjen zyrtare të sezonit të provimeve, që do të zgjasë deri më 24 qershor.
Provimi nis në orën 10:00 në 145 qendra testimi dhe zgjat 2 orë e 30 minuta. Teza përpilohet me tre nivele vështirësie dhe përfshin pyetje me alternativa dhe me zhvillim. Gjuha angleze mbetet zgjedhja kryesore për pjesën dërrmuese të nxënësve.
Matura përbëhet nga katër provime të detyruara, që zhvillohen çdo javë: pas Gjuhës së Huaj vjen Gjuha Shqipe dhe Letërsia më 10 qershor, Matematika më 17 qershor dhe Lënda me Zgjedhje më 24 qershor, kjo e fundit përcakton edhe drejtimin akademik të nxënësve në universitet.
Rezultatet e këtyre provimeve janë vendimtare për pranimin në universitetet publike dhe private në vend. Në fund të qershorit, të dhënat e maturantëve do të ngarkohen në sistemin "U-Albania", i cili hapet çdo vit nga e para. Aplikimet për degët e studimit do të zhvillohen në fund të korrikut, me çdo kandidat që ka të drejtë të zgjedhë deri në 10 preferenca.
Kreu i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, konfirmoi se aplikimet do të jenë të mundura në fund të korrikut dhe fillim gushti, si çdo vit. Ndërkohë, MAS ka bërë thirrje për respektimin rigoroz të rregullave të sigurisë, duke nisur nga hapja e tezave e deri në mbylljen e procesit, për të shmangur fenomenin e rrjedhjes së pyetjeve në rrjete sociale, që ka ndodhur në të kaluarën. Versus.al







