
Sot është dita e fundit për dorëzimin e aplikimeve për postin e drejtuesit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), një prej pozicioneve më të rëndësishme në strukturën e drejtësisë së re. Deri më tani, janë paraqitur katër kandidatura, mes të cilëve edhe emri i njohur i ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Pasi të përmbyllet afati zyrtar, kandidatët do t’i nënshtrohen një sërë fazash testimi dhe vlerësimi nga komisioni i posaçëm i ngritur pranë SPAK, i cili përbëhet nga kryetari i SPAK Altin Dumani dhe prokurorët Arben Kraja e Behar Dibra.
Në përfundim të procesit, komisioni do t’i propozojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) emrin e përzgjedhur për emërim. Mandati i kreut të BKH-së është 5-vjeçar.
Aktualisht, këtë funksion e ushtron Aida Hajnaj, e cila do të vazhdojë detyrën deri më 31 gusht 2025. Pritet që emërimi i ri të sjellë një qasje të re në drejtimin e këtij institucioni kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Versus.al







