Mediat e huaja i kanë bërë jehonë lajmit për vendimin e marrë nga Shqipëria për mbylljen e aplikacionit “TikTok”. Në një artikull të The Telegraph shkruhet se vendimi është marrë si pasojë e ndikimit negative që ky rrjet social kishte tek të miturit dhe të rinjtë.
Sipas medias britanike, ky është ndalimi i parë i këtij lloji në Evropë sa i takon masave të ndërmarra ndaj rrjetit social “TikTok”.
“Edi Rama, kryeministri i vendit, konfirmoi të enjten se aplikacioni për ndarjen e videove do të ndalohet nga janari, si pjesë e një plani për t'i bërë shkollat më të sigurta.
Ndalimi, i pari i këtij lloji në Evropë u nxit nga vdekja e një nxënësi 14-vjeçar të vrarë me thikë nga një nxënës tjetër në mes të nëntorit”- shkruan The Telegraph.
Në artikull është përfshirë edhe reagimi i deputetes demokrate, Ina Zhupa e cila e cilësoi vendimin si një përpjekje për të kufizuar lirinë e shprehjes në rrjete sociale që nuk kontrollohen nga qeveria. Versus.al








