Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në aksin Tepelenë–Krahës, në afërsi të Memaliajt, ku janë përplasur dy automjete.
Si pasojë e përplasjes së fortë, ka humbur jetën një fëmijë 7-vjeç, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Aksidenti i rëndë është regjistruar rreth orës 14:30 të ditës së shtunes në aksin rrugor “Tepelenë–Krahës”, në vendin e njohur si “Kthesa e Luftinjës”.
Sipas të dhënave paraprake, në aksident janë përfshirë dy automjete. Njëri nga mjetet drejtohej nga shtetasi B. D., banues në fshatin Kalivaç, ndërsa automjeti tjetër nga shtetasi ukrainas V. T., 38 vjeç. Përplasja ka rezultuar fatale për një të mitur rreth 7 vjeç, djali i çiftit shqiptar, i cili ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Prindërit e fëmijës, B. D. dhe bashkëshortja e tij, kanë pësuar dëmtime të lehta.
Nga ana tjetër, edhe shtetasi ukrainas dhe një pasagjer që ndodhej me të kanë marrë lëndime të lehta dhe aktualisht po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e zonës.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Grupi hetimor po heton shkaqet që çuan në përplasjen fatale.







