Ministria e Drejtësisë ka përgatitur amnistinë penale, e cila tashmë është dërguar në qeveri dhe pritet të miratohet për t’u paraqitur në Kuvend.
Ministri Besfort Lamallari, në një konferencë për shtyp, bëri me dije se nga kjo masë do të përfitojnë rreth 10 mijë persona.
Nga përfituesit, 338 do të lirohen menjëherë, ndërsa 980 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Lamallari theksoi se masa e arrestimit me burg duhet të përdoret si fjala e fundit, duke nënvizuar rëndësinë e orientimit të sistemit drejt parandalimit dhe rehabilitimit.
''Amnistia penale është derguar në Këshillin e Ministrave, do kemi miratimin e aktit në mbledhjen e qeverisë dhe depozitimin në kuvend. Është një kategori shumë e madhe që përfitojnë, nga shifrat paraprake, duke përfshirë dhe procedimet e 2024, numri i përfituesve është i lartë, 10 mijë persona që përfitojnë. 338 përfitojnë lirim të menjëhershme, 980 që përfitojnë ulje dënimi.
Kemi një kategori të lartë personash, grupe vulnerabël, duke përfshirë dhe gra dhe të mitur që përfitojnë nga ky akt human, kjo tregon që jemi shoqëri që duhet të orientohet drejt parandalimit, rehabilitim, ti japim një mundësi të dytë dhe mbështetje personave që në momente të caktuara bien pre e zbatimit represiv të ligjit. Nuk është ky qëllimi ynë, duhet të ndryshojmë qasje, mendësi, të jemi drejt faljes, mundësive reale. Arresti me burg duhet të jetë fjala e fundit”, tha ministri.
Ai sqaroi gjithashtu se amnistia nuk përfshin persona që janë në hetim ose gjykim nga SPAK dhe GJKKO, për të shmangur çdo keqkuptim.
“Nuk përmban këto dënime. Për ne është e rëndësishme të mos krijojmë spekulime. Duke marrë parasysh edhe kontestin në të ciklën ndodhemi dhe mbështetjen që i kemi ofruar organeve të reja të drejtësisë, SPAK dhe GJKKO, kjo nuk përfshin persona në hetim apo gjykim nga GJKKO”, tha Lamallari.
Amnistia pritet të miratohet së shpejti nga qeveria dhe më pas të depozitohet në Kuvend për procedurat e mëtejshme./Versus.al

