AKTUALITET /

Mjeku shqiptar në Kanada, humb jetën në aksident! Ambasadorja: Ishte emblemë e komunitetit tonë

Shkruar nga Versus
Mjeku shqiptar në Kanada, humb jetën në aksident! Ambasadorja:
I ndjeri, mjeku Agron Alija

Kanada- Një aksident i rëndë me makinë i ka marrë jetën mjekut shqiptar, Agron Alija. Lajmin e trishtë e ka konfirmuar Artemis Kosta Malo, ambasadorja e Shqipërisë në Kanada e cila i shprehu ngushëllime familjes.

Duke e konsideruar Alijan si emblemë të komunitetit shqiptar në Kanada, Malo shkruan se i ndjeri shërbeu si mjek dhe Profesor i Asociuar në Shkollën e Mjekësisë dhe Stomatologjisë “Schulich” në London, në provincën e Ontarios.

“Me dhimbje të thellë mësuam lajmin tronditës për ndarjen e parakohshme nga jeta të Dr. Agron Alija. Në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kanada dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Dr. Agron Alija për këtë humbje të pazëvendësueshme.

Dr. Agron Alija ishte një figurë emblemë e komunitetit shqiptar në Kanada, një profesionist i përkushtuar në fushën e mjekësisë dhe një njeri me shpirt fisnik që kontribuoi me dashuri, përkushtim dhe integritet në shërbim të njerëzve dhe komunitetit veçanërisht në Hamilton dhe London, aty ku edhe shërbeu si mjek dhe Profesor i Asociuar në Shkollën e Mjekësisë dhe Stomatologjisë "Schulich" në London, në provincën e Ontarios.

Humbja e tij la një boshllëk të madh jo vetëm për familjen e tij, por edhe për gjithë ata që patën fatin ta njihnin e ta vlerësonin.

Në këto momente të vështira, shpreh gjithë mbështetjen time dhe uroj forcë dhe durim familjes së Dr. Alija për të përballuar këtë humbje.

U prehsh në paqe, Dr. Alija. Kujtimi për ty do të qëndrojë përgjithmonë në zemrat dhe mendjet tona, me respekt, mirënjohje dhe mall të thellë për njeriun fisnik, mjekun e përkushtuar dhe mikun e dashur që ishe.”-ka shkruar ambasadorja. Versus.al

Poll