Sot mbahet seanca e dytë e gjykimit në themel për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si dhe 28 persona e shoqëri të përfshira në të njëjtën dosje.
Në seancën e parë të zhvilluar më 9 mars, Veliaj arriti të sigurojë një vendim në favor, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pranoi kërkesën e tij për t’u njohur me të gjitha aktet e dosjes hetimore.
Ai nuk ishte i pranishëm fizikisht në seancë, por u përfaqësua nga avokatja e caktuar kryesisht, ndërsa në një deklaratë pretendoi se procesi nuk kishte kaluar ende fazën paraprake.
Një ditë pas vendimit të gjykatës, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përmes agjentëve të Byroja Kombëtare e Hetimit, i dorëzoi mbrojtjes rreth 28 mijë faqe materiale nga 72 fashikujt e dosjes, në funksion të garantimit të mbrojtjes efektive.
Në seancën e parë mungoi edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e përfaqësuar nga avokati, i cili informoi gjykatën se ajo ndodhet në gjendje shtatzënie dhe nuk mund të lëvizë për arsye shëndetësore.
Po ashtu, munguan edhe disa nga të pandehurit e tjerë, të cilët u përfaqësuan nga avokatët e tyre, ndërsa i vetmi që u paraqit fizikisht ishte biznesmeni Elman Abule.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi më herët kalimin për gjykim të dosjes ndaj Veliajt dhe të pandehurve të tjerë, ndërsa kryebashkiaku ndodhet në arrest që prej 10 shkurtit 2025.
Sipas Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj Veliajt rëndojnë disa akuza, përfshirë korrupsion pasiv në nëntë raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe shpërdorim detyre.
Prokuroria pretendon se ai ka përfituar në mënyrë të parregullt shuma monetare dhe pasuri nga kompani që kanë marrë leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Akuza të ngjashme janë ngritur edhe ndaj Ajola Xoxës, ndërsa biznesmenët në dosje dyshohen për korrupsion aktiv, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ndërkohë, ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Ndërkohë, më 20 maj, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pritet të shqyrtojë ankimin e Veliajt lidhur me masën e sigurisë “arrest me burg”./Versus.al

