Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot Arjan Dedaj pati një thirrje për shqiptarët në vigjilje të Pashkës Katolike. Ai u bëri thirrje të gjithë besimtarëve që të mos dorëzohen përballë vështirësive dhe të besojnë se ndryshimi është i mundur dhe nis nga secili prej tyre.
Duke u ndalur tek fenomenet që prekin shoqërinë shqiptare si emigracioni apo indiferenca, Dodaj tha se ndryshimi dhe e ardhmja nuk duhen pritur nga jashtë vendit.
“Vendi ynë nuk duhet të presë që e drejta apo e ardhmja do të na vijë nga jashtë. Thua vallë se të huajt e kanë për detyrë ta duan më shumë Shqipërinë dhe shqiptarët se vetë shqiptarët Shqipërinë dhe njëri-tjetrin. Jo, kjo para së gjithash është një përgjegjësi e secilit prej nesh. Të qenit shqiptar nuk është çështje slogani apo propagande, por trashëgimia që na shpërcjell ndër shekuj dhe borxhi që u detyrohemi bijëve tanë, brezave të rinj”, tha Dodaj.
Ai nënvizoi se vendi ka nevojë për një ndërgjegjie që të reagojë dhe të mos e pranojë korrupsionin apo padrejtësinë si diçka normale.
“Shqipëria ka nevojë për burra dhe gra të ndershëm që e duan këtë tokë dhe popullin e saj jo me fjalë, por me jetë të jetuara këtu, ka nevojë për ndërgjegje reaguese që nuk pranojnë korrupsionin, padrejtësinë dhe menjanimin si diçka normale. Është ky një urim për të gjithë dhe akoma më shumë është për ata që mbajnë përgjegjësi politike, ekonomike dhe shoqërore që të shohin me largpamësi dhe përgjegjësi të ardhmen e vendit”, theksoi ai. Versus.al

