Një aksident i rëndë në autostradën Shtetërore 589, Saluzzo–Barge, në kilometrin e 53-të pranë Abacisë së Stafardës, i ka marrë jetën parakohe 20-vjeçarit shqiptar Klaudio Gjoka nga Lezha.
I riu, i cili jetonte në Itali, udhëtonte me automjetin e tij tip “Audi” kur u përplas me një kamion.
Bluzat e bardha bënë çdo përpjekje për ta shpëtuar, por plagët e rënda ishin fatale për të. Mediat italiane raportojnë se përplasja ndodhi në mënyrë të papritur, duke lënë pas një dhimbje të madhe për familjen dhe miqtë e Klaudios.
Familjarët kanë shprehur pikëllimin e tyre të thellë në rrjetet sociale, duke postuar foto të të riut.
“Na këpute shpirtin o vëlla. Na copëtove zemrën o Klaudio”, shkruan një famijlar i të riut.
Një tjetër familjare shkruan: “O shpirti i tetës na copëtove zemrat mor Klaudio. Të dashtë Zoti pranë vetes se ke qenë i miri i botës o shpirt”./Versus.al

