AKTUALITET /

Nafta mbi 214 lekë/litër: Vihet në lëvizje Bordi i Transparencës, qeveria shqyrton uljen e akcizës dhe kufizimin e fitimeve

Bordi i Transparencës mblidhet për të shqyrtuar çmimin e naftës, në një kohë kur karburantet vijojnë të jenë në nivele të larta mbi 214 lekë për litër. Në fokus të diskutimeve pritet të jenë marzhet e fitimit për operatorët e tregut dhe mundësia e uljes së akcizës me 20%, si dhe masat për të parandaluar abuzimet dhe spekulimet në treg.

Shkruar nga Versus

Nafta mbi 214 lekë/litër: Vihet në lëvizje Bordi i

Ministri Ervin Demo ka njoftuar se Bordi i Transparencës do të mblidhet gjatë ditës së sotme për të shqyrtuar situatën e çmimeve të karburanteve në vend, në një kohë kur nafta vijon të tregtohet mbi 214 lekë për litër.

Mbledhja pritet të fokusohet në diferencat mes çmimeve të bursës dhe atyre që aplikohen në tregun vendas, ndërsa në përfundim të saj pritet të merret një vendimmarrje konkrete.

“Bordi sot do të mblidhet, po merret gjithë informacioni sa i përket lëvizjes së çmimeve dhe ndryshimit që ka vetë çmimi i bursës me atë që ne shohim. Bordi do të dalë me një vendimmarrje sot.

Nuk mund të flas në detaje, por rritja e çmimit të naftës dhe aq më tepër inflacioni që sjell në produktet në një bazë të gjerë kërkon një kohë të caktuar dhe ajo çfarë jemi duke bërë është të garantojmë transparencën, duke filluar jo vetëm me produktet bazë, por dhe me produktet si nafta që kanë të bëjnë me energjinë dhe të mos ketë spekulim në treg. Mos përdoret kjo situatë për të spekuluar në kurriz të qytetarëve”, u shpreh Demo.

Paralelisht, qeveria po shqyrton edhe mundësinë e uljes së akcizës së naftës me 20%, nga niveli aktual prej 38.8 lekësh për litër, si masë për të lehtësuar kostot për qytetarët dhe bizneset.

Në fuqi mbetet gjithashtu edhe Task-Forca për kontrollin e tregut të hidrokarbureve, e cila synon të monitorojë çmimet dhe të parandalojë çdo formë abuzimi apo spekulimi në treg./ Versus.al

Poll