Sipas të përditshmes austriake Kronen Zeitung, dy burra u arrestuan në Ternitz, në jug të Vjenës. Forcat e rendit i thanë gazetës se kishte "dyshime konkrete se kishte rrezik real që në koncertet e Taylor Swift të kryhej një sulm terrorist".
Një operacion i gjatë policor çoi në arrestimin e një 19-vjeçari austriak me origjinë nga Maqedonia e Veriut. Ky i fundit mbetet për tu mësuar nëse i përket etnisë shqiptare apo sllave. Në lidhje me të njëjtin rast, një tjetër person është arrestuar në Vjenë. Sipas policisë, dy burrat ishin betuar për besnikëri ndaj Shtetit Islamik disa javë më parë. Ata dyshohet se ishin radikalizuar nëpërmjet internetit. Informacioni për planin terrorist, sipas mediave austriake erdhi nga autoritetet e huaja të sigurisë.
Austriaku me origjinë nga Maqedonia e Veriut jetonte me familjen në Ternitz dhe u arrestua në orët e para të mëngjesit. Por arrestimi rezultoi në një operacion në të cilin pothuajse gjysma e qytetit duhej të evakuohej. Aktualisht po vlerësohen lëndët kimike të sekuestruara gjatë kontrollit në shtëpi dhe gjurmë të tjera. Nuk është ende e mundur të jepet plotësisht e qartë tabloja e kësaj ngjarje, pasi hetimi për mbështetësit ose bashkëpunëtorët e mundshëm është në vijim.
Situata tani është kthyer në normalitet edhe pse mbeten shumë paqartësi.
Biletat për koncertet e Taylor Swift janë të shitura dhe do të zhvillohen në Vjenë në datat 8, 9 dhe 10 gusht. Zyrtarët austriakë të zbatimit të ligjit sigurojnë se kontrollet e sigurisë do të forcohen ndjeshëm.
Ata njoftuan se kontrollet e sigurisë në tre koncertet e Taylor Swift të enjten, të premten dhe të shtunën do të rriten masivisht. Hyrja në koncert në veçanti do të kontrollohet rreptësisht, tha policia. Oficerët me armë do të jenë gjithashtu në detyrë ndërsa forcat Kobra do të mbështesin operacionin.
Për kujtesë, kjo nuk është hera e parë që një koncert i Taylor Swift është vënë në shënjestër. Sulmi me thikë më 29 korrik në Mbretërinë e Bashkuar, i cili la tre viktima, kishte në shënjestër një klasë kërcimi të lidhur me yllin amerikan.








