Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e sipërmarrësit italian, Edoardo Sarchi në Salari teksa ishte kishte vajtur për gjueti.
Nga hetimet e deritanishme konfirmohet se nuk bëhet fjalë për një aksident apo vrasje nga pakujdesia, por për një atentat të mirëfilltë, i kryer nga një autor ende i paidentifikuar nga Policia e Gjirokastrës.
Sipas ekspertizës në vendngjarje, Sarchi ndodhej në shoqërinë e Eqrem Braçit dhe dy djemve të tij, ndërsa po udhëtonin nga Nivica drejt Salarisë.
Dëshmitë e marra në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër kanë ndihmuar në rindërtimin e skenës së krimit, i cili ndodhi në orët e para të mëngjesit në zonën e quajtur Dilan.
Grupi udhëtonte me dy mjete fuoristradë, kur fillimisht dëgjuan tre të shtëna armësh shumë pranë.
Automjeti tip Land Rover, ku ndodhej Sarchi, u detyrua të ndalonte. Pas disa minutash u dëgjua një breshëri tjetër, ndërsa përpara tyre u shfaq një person i armatosur me automatik, i cili qëlloi në drejtim të gomave të makinës.
Plumbat çanë gomën e përparme. Më pas, një plumb rikoshet goditi biznesmenin në pjesën e kofshës, duke i shkaktuar hemorragji të madhe.
Pavarësisht njoftimit të menjëhershëm të policisë dhe mbërritjes së ambulancës, 44-vjeçari nuk mundi t’i mbijetonte plagëve.
Ndërkohë, në zonën e Kurveleshit janë ngritur katër postblloqe dhe dy grupe specialistësh po kontrollojnë perimetrin nga fshati Gusmar deri në Dukaj, me dyshimet se autori është larguar drejt Vlorës.







