
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për pushimin e procedimit penal ndaj gjyqtares së posaçme Irena Gjoka.
Hetimi ishte regjistruar më 5 qershor të vitit 2025 pas kallëzimit të bërë nga Adriana Kalaja, ish-kryetarja e Komisionitt ë Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit në PD. Kalaja pretendonte se Gjoka kishte kryer falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe ushtrim ndikimi i paligjshëm.
Përgjatë hetimeve të kryera, SPAK ka analizuar kallëzime shtesë dhe dokumentacion nga institucionet e ndryshme dhe në përfundim rezultoi se ndaj Gjokës ekziston një vendim i vitit 2005 në Greqi për përdorim dokumentesh të parregullta dhe hyrje të paligjshme në territorin grek.Pavarësisht këtij vendimi, SPAK thotë se nuk ka bazë ligjore për ndjekje penale ndaj Gjokës në Shqipëri pasi në vendin tonë nuk është njoftuar në mënyrë efektive për vendimin e dënimit.
Megjithatë, sipas SPAK, ky vendim nuk përbën bazë ligjore për ndjekje penale në Shqipëri, pasi nuk rezulton që ajo të jetë njoftuar në mënyrë efektive për procesin apo vendimin. Gjithashtu, autoritetet greke kanë vendosur të mos e ekzekutojnë vendimin për shkak të parashkrimit dhe mungesës së formës së prerë, ndërsa në dëshmitë e penalitetit nuk figurojnë të dhëna për dënim penal.
Gjyqtarja Irena Gjoka ka drejtuar seancat gjyqësore ndaj liderëve të opozitës, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Fatmir Mediu. Versus.al


