
Mjeku psikiatër nga Kosova, Behar Kamberi, është liruar nga masa e ndalimit pas vlerësimit të rrethanave nga Prokuroria e Tiranës. Ai ishte arrestuar disa ditë më parë nga Policia e kryeqytetit, pas një kallëzimi të bërë nga moderatorja sportive, Albana Bejko, e cila pretendonte se ishte përndjekur prej tij.
Sipas burimeve zyrtare, prokuroria mori në shqyrtim materialet e referuara nga Komisariati Nr. 2, ku përfshihej deklarata e kallëzueses dhe provat e mbledhura nga policia, përfshirë këqyrjen e komunikimeve mes palëve.
Në qendër të hetimeve ishin disa mesazhe që Kamberi i kishte dërguar Bejkos, ku ai shprehte interes romantik me fraza si: “Të dua… dëshiroj të martohem me ty” dhe “Jeni shumë e bukur, dua t’ju takoj se kam ardhur nga Kosova vetëm për ju.”
Megjithatë, pas analizës së përmbajtjes, organi i akuzës ka vlerësuar se këto komunikime nuk përmbanin kërcënime, intimidim apo elementë që të përbëjnë vepër penale të përndjekjes. Sipas prokurorisë, ato përbënin shprehje të një ndjenje personale, pa rrezikuar sigurinë apo mirëqenien e kallëzueses.
Në bazë të këtij vlerësimi, u vendos që të mos vazhdohej më tej me masën e paraburgimit, duke urdhëruar lirimin e Behar Kamberit.







