AKTUALITET /

Përdori pushkë për gjueti derrash, zbardhet dinamika e vrasjes së italianit, autori u konfliktua me Gazmend Braçin

Shkruar nga Versus
Përdori pushkë për gjueti derrash, zbardhet dinamika e vrasjes
Autori Kamber Sulçaj, makina dhe arma e përdorur prej tij

Sherri që degradoi në përdorimin e armës që më pas solli edhe vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi, kishte nisur fillimisht mes autorit Kamber Sulçaj dhe Gazmend Braçit për shkak të dritave të gjata që ky i fundit mbante ndezur gjatë qarkullimit.

Autori 44 vjeçar i shpallur në kërkim për ngjarjen po udhëtonte me makinën e tij drejt stanit që kishte në pronësi, kur rrugës u shkëmbye me makinën me të cilën qarkullonte Gazmend Braçi me disa miq të tij. Mes tyre nisi një debat për shkak se Sulçaj e akuzonte Braçin se e kishte verbuar me dritat e gjata dhe pati ofendime e sharje për disa minuta.

Pas debatit, Gazmend Braçi është nisur me makinë drejt shtëpisë së tij në Salari, por autori i dyshuar i vrasjes e ka ndjekur nga pas. Në një moment Braçit i prishet makina dhe telefonon babain e tij Eqerem Braçi. Ky i fundit është nisur me 2 makina, njëra prej të cilave drejtohej nga ortaku i tij italian Edoardo Sarchi. Në momentin që Eqerem Braçi dhe Sarchi kanë mbërritur në vendngjarje, drejt tyre është qëlluar me armë zjarri nga Kamber Sulçaj, njëri prej plumbave preku biznesmenin italian. Për disa minuta, Sulçaj i ka mbajtur në të njëjtin vend duke qëlluar vazhdimisht në drejtim të tyre. pasi u largua nga vendi i ngjarjes, makinën e fshehu në një zonë të thellë, poshtë një peme.

Dëshmitë kyçe për zbardhjen e ngjarjes, i kanë dhënë dy dëshmitarë që kishin kaluar rastësisht në rrugë dhe kishin dëgjuar sherrin që përfundoi në të shtëna me armë. Ekspertiza paraprake ka zbuluar se Sarchi u qëllua me një plumb në pjesën e sipërme të kofshës dhe plumbi ishte tejshpues. Personat që e shoqëronin i dhanë ndihmën e parë duke i lidhur këmbën, por për shkak se humbi shumë gjak, italiani nuk arriti të mbijetonte. Burimet bëjnë me dije se autori ka përdorur një pushkë që përdorej për gjuetinë e derrave për të qëlluar drejt italianit dhe personave të tjerë. Versus.al

Poll