AKTUALITET /

Operacioni ‘blic’ në Durrës me 2 të arrestuar, policia: U kapën me pistoletë gati për qitje! Mustafa, mik i ‘Rrumit të Shijakut’

Policia e Durrësit ka dhënë detaje lidhur me aksionin e ditës së djeshme në Shkozet të Durrësit, ku u vunë në pranga dy persona për armëmbajtje pa leje.

Shkruar nga Versus

Operacioni ‘blic’ në Durrës me 2 të arrestuar,

Policia ka dhënë detaje të reja në lidhje me aksioni e zhvilluar mbrëmjen e kaluar në zonën e Shkozetit.

Gjatë këtij operacioni, i koduar “The Next Gun”, u arrestuan dy persona të dyshuar për veprimtari kriminale dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Mes të arrestuarve është Aldi Mustafa, 39 vjeç, i kapur në flagrancë me një armë zjarri pistoletë dhe fishek gati për qitje në rrugët e qytetit, duke shtuar dyshimet për përfshirjen e tij në aktivitete të paligjshme dhe të dhunshme.

Mustafa konsiderohet një person me precedentë të mëparshëm penalë dhe është i njohur si pjesë e grupit kriminal të njohur si “Grupi i Rrumit të Shijakut”. Ai ishte shpallur në kërkim policor për ngjarjen e datës 13 gusht 2025, ku një banese iu vendos lëndë eksplozive.

Gjatë operacionit u arrestua gjithashtu Arbi Haxhiu, 23 vjeç, një tjetër emër i njohur për Policinë dhe me dyshime për lidhje me grupet kriminale që veprojnë në Durrës dhe rrethina.

Të dy të arrestuarit u kapën me armë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të verifikuar aktivitetin e tyre kriminal dhe lidhjet me organizatat e strukturuara.

Nga hetimet e mëparshme rezulton se Mustafa dhe bashkëpunëtorët e tij janë të lidhur me Aleksandër Lahon, i njohur edhe si Pëllumb Muharremi ose Rrumi i Shijakut, një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare dhe i dyshuar si pjesë e krimit të organizuar.

Emri i tij lidhet me një atentat mafioz në nëntor 2019 në Shkozet, ku udhëtonte bashkë me ish-prokurorin Arian Ndoja, dhe gjatë hetimeve u zbuluan prova për korrupsion dhe falsifikime pronash në Gjirin e Lalzit. Një video e regjistruar me telefon nga vetë Rrumi, ku ai negocionte ryshfet me një zyrtar publik, u bë provë kyçe për hetimet e SPAK.

Deklarata e kreut të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Vilson Bala:

Në kuadër të zbatimit të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm për parandalimin dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në vijim të punës së pandërprerë dhe goditjeve të njëpasnjëshme për këtë qëllim, mbrëmjen e djeshme strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe ato të Komisariatit të Policisë Durrës zhvilluan dhe finalizuan me sukses një tjetër operacion policor me rrezikshmëri të lartë, të koduar “The next Gun".

Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga 2 shtetas, njëri me rrezikshmëri të lartë, konkretisht shtetasit A. M., 39 vjeç, dhe A. H., 23 vjeç, të dy banues në Durrës, të cilëve në momentin e arrestimit iu është gjetur një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole gati për qitje.

39-vjeçari A. M., person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim policor, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 13.08.2025, në lagjen nr. 14, Durrës, ku është vënë lëndë eksplozive banesës së shtetasit I. Gj"/Versus.al

Poll