Vrasja e 23-vjeçares Ilaria Sula nga ish-i dashuri i saj, Mark Samson, ka marrë përmasa edhe më të errëta, ndërsa dëshmi të reja po dalin në dritë.
Një nga dëshmitarët kyç, Maher Abouzeid, mik i afërt i Samsonit, ka treguar për sjelljet e çuditshme dhe të dyshimta të këtij të fundit në ditët që pasuan ngjarjen tragjike të ndodhur mes 25 dhe 26 marsit në Romë.
Sipas tij, Marku është një përbindësh.
“Marku nuk ishte tip agresiv, as xheloz. Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë një mizori të tillë. Ai është një përbindësh, e përsëris. Gjithmonë e kam menduar si një djalë inteligjent, por të kesh këtë ftohtësi është e frikshme. Më duket sikur jam në një film horror. Por nuk kam asgjë për të fshehur”, thotë miku i tij.
Abouzeid shpjegon se e pa Markun një ditë pas vdekjes së Ilarias. Ky i fundit kishte dorën e fryrë dhe të lënduar, por e justifikoi duke thënë se ishte përleshur me dy djem, diçka që më vonë rezultoi të ishte gënjeshtër.
Sipas mikut të tij, Marku ishte fillimisht i tronditur, por më pas u kthye në sjelljen e tij normale: qeshte, këndonte dhe kërkonte shoqëri femrash.
“Kur e pashë atë natë, dora e tij ishte e fryrë, e kuqe dhe e dhimbshme. Ai mbërriti në makinën e tij rreth mesnatës. Aty ishte edhe një djalë tjetër. E pyetëm se çfarë kishte ndodhur. Ai na tha se një natë më parë ishte përleshur me dy djem, jashtë shtëpisë së Ilarias. Por ishte një gënjeshtër. Ishte vetëm fillimi i gënjeshtrës së tij. Në fillim ishte i menduar, dukej i tronditur. Por mendova se ishte për shkak të ndarjes me të. Më pas ai u kthye në të njëjtin Mark. Ai që e kisha njohur gjithmonë. Ai qeshte, bënte shaka, këndoi. Patëm një natë dhe morëm dy turiste. Qëndruam me to deri në tre të mëngjesit. Nuk e imagjinoja dot që Ilaria kishte vdekur”, vijon shoku i tij.
Por sjellja që ngjalli dyshime serioze tek Abouzeid, ishte se Marku nuk pranoi të largohej nga makina e tij as për disa orë.
“I sugjerova Markut të linim makinën dhe të shkonim së bashku në shtëpi, sepse duhej të flinte në shtëpinë time – por ai nuk pranoi. Nuk donte ta linte pa mbikëqyrje, as për disa orë. Ishte një reagim i çuditshëm. Ai dukej i tmerruar nga ideja e ndarjes me të. Nuk dua ta mendoj që ishte trupi i Ilarias në të”.
I riu u takua sërish me Markun më 31 mars. Atë ditë, thotë Abouzeid, Samsoni ishte më i heshtur se zakonisht: “U përpoqa ta bëja të fliste. Mendova se po ndihej keq për të gjithë situatën. Ai më tregoi për denoncimin e zhdukjes, për prindërit e Ilarias, për reagimin e babait të saj, i cili i tronditur në komisariat, e qëlloi me shuplakë dhe e pyeti nëse e dinte ku ishte vajza e tij dhe për nënën e saj, e cila me lot e pyeti: “Më thuaj që nuk di gjë, se nuk ishe ti”. Ai spekuloi se ajo kishte ikur me dikë që e kishte takuar në chat. Ai po luante bllofin. Dhe në mëngjes, kur ishim në shtëpinë time, ai ishte mbyllur në tualet dhe në atë moment në profilin e Ilarias në Instagram u shfaq një histori e re, ku shkruhej: ‘Jam mirë dhe i falënderoj të gjithë’. Në të njëjtën kohë, ai më tregoi edhe për një letër, për të cilën pretendonte se ishte shkruar nga ajo, e dorëzuar gjatë takimit të tyre të fundit. Një letër e çuditshme, jashtë gjuhës së saj. Ajo tha se donte të largohej, por se e donte atë. Një tjetër e çuditshme e asaj dite ishte një frazë që ai përsëriste shpesh dhe që më ngeli në mendje: ‘Kam frikë nga policia’. Atë mbrëmje na ndaloi një patrullë për një kontroll rutinë, por ai ishte jashtëzakonisht i në siklet. Vazhdonte të shikonte pas. Më pas ditët pas zbulimit të trupit dhe arrestimit. Bota ime u shpërbë”.
Ndërkohë, raportime nga Fanpage.it zbulojnë se Mark Samson ka kontaktuar disa vajza në Instagram para dhe pas vrasjes, përfshirë një mesazh më 27 mars. Kjo sjellje ka shtuar dyshimet për ftohtësinë dhe mungesën e pendesës nga ana e tij.
“Më 22 mars, Marku shkroi një mesazh në një faqe në Instagram që synonte të njihte njerëz të rinj, duke pyetur se kush dëshiron të pinte kafe me të. Më pëlqeu postimi dhe më pas folëm privatisht. Një bisedë e shkurtër që më pas nuk u kthye në një takim siç donte ai”, shpjegon vajza.
“Së pari, unë nuk jam një burrë i dobët, jam shumë i ftohtë. Po kaloj një kohë të ndyrë. A doni të bisedoni? S’ka lidhje, mos u shqetëso”, është një nga mesazhet që dyshohet se i ka dërguar Marku të resë. Mesazhi i fundit për vajzën, i cili mbeti pa përgjigje, daton në datën 27 mars: “Ciao, a je akoma jashtë?”. “Mund të kisha hipur në atë makinë ku ka transportuar trupin e ish-të dashurës disa ditë më vonë, nuk e mendoj dot”, komenton e reja.
Sipas Fanpage.it, ajo nuk është e vetmja që është kontaktuar nga Marku para dhe pas vdekjes së Sulës, qoftë edhe me kërkesa për t’u takuar.








