AKTUALITET /

Pastroi para droge, SPAK dërgon për gjykim ish-drejtoreshën e Kadastrës së Durrësit! Sekuestrohen dhjetëra apartamente

Sipas SPAK dy vëllezërit Besjan dhe Leonard Ramaj të dënuar për drogë në Belgjikë dhe Norvegji përfituan lehtësira nga Dashi për të investuar mbi 1.2 mln euro në blerjen e apartamenteve në qytete të ndryshme.

Shkruar nga Versus
Pastroi para droge, SPAK dërgon për gjykim ish-drejtoreshën e
Godina e SPAK dhe ish-drejtoresha e Kadastrës së Durrësit Rajmonda Dashi

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar për gjykim dosjen ku mes të akuzuarve është edhe ish-drejtoresha e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi. Kjo e fundit akuzohet për pastrim të parave të drogës që futeshin në vendin tonë nëpërmjet grupeve kriminale me bazë në Belgjikë dhe Norvegji.

Gjithashtu për këtë dosje janë dërguar për gjykim edhe tre persona të tjerë, Besjan Ramaj, Leonard Ramaj dhe Ardjan Malasi të cilët akuzohen për grup të strukturuar kriminal dhe për pastrim të parave të drogës.  Sipas informacioneve që SPAK ka siguruar nga autoritetet belge, rezulton se Besjan dhe Leonard Ramaj janë të dënuar në vitin 2021 për trafik droge ndërsa Besjan Ramaj ishte i dënuar edhe nga Norvegjia për të njëjtën vepër penale në 2021-ën.

Skema e përdorur për pastrimin e parave

Hetimet kanë zbuluar se dy vëllezërit Rama që prej vitit 2010 në bashkëpunim me të njohurin e tyre Ardjan Malasi kanë kryer veprime të jashtëligjshme me qëllim pastrimin e parave që i kishin fituar nga trafiku i drogës në Norvegji e Belgjikë. Kjo veprimtari ka vijuar deri në vitin 2023. Janë përdorur para “cash” për të integruar në kompaninë “Ledio 04” që më pas ka investuar në pasuri të paluajtshme në shumën prej 1 milionë e 259 mijë euro.

Roli i ish-drejtoreshës

Rajmonda Dashi dyshohet se është përfshirë në këtë veprimtari kriminale që prej vitit 2018 duke kryer veprime juridike fiktive në favor të pronarëve realë të pasurive të paluajtshme të cilat bliheshin nga kompania “Ledio 04”.

Në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar më herët dhe është kërkuar konfiskimi në Gjykatën e Posacme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për:

1. 12 (dymbëdhjetë) apartamente në qytetin e Fierit;

2. 1 (një) dyqan prej 300m 2 në qytetin e Fierit;

3.  1 (një) pasuri e paluajtshme, ullishte, me sipërfaqe 5.200 m, ndodhur në Mallakastër;

4.  4 (katër) apartamente në qytetin e Tiranës;

5. 3 (tre) ambiente me funksion garazh në qytetin e Tiranës;

6.  1 (një) shoqëri tregëtare;

7. 2 (dy) automjete;

Në lidhje me këtë hetim është bashkëpunuar me autoritetet e drejtësisë së shtetit të Belgjikës dhe të Norvegjisë. Versus.al

Poll