AKTUALITET /

Përplasja në GJKKO: Komenti i prokurorit Dibra ndez tensionet me të pandehurin Asllan Plaku gjatë dëshmisë së Erjon Alibejt

Gjithçka nisi pas përfundimit të dëshmisë së Erjon Alibej, një bashkëpunëtor i drejtësisë, kur prokurori i SPAK, Behar Dibra, iu drejtua atij me fjalët: “Po si e harrove Asllan Plakun, nuk e përmende fare atë…”.

Shkruar nga Versus
Përplasja në GJKKO: Komenti i prokurorit Dibra ndez tensionet me
Foto montazh: Prokurori Behar Dibra, Erion Alibej, Asllan Plaku, Nuredin Dumani

Seanca gjyqësore e djeshme për çështjen e vrasjes së dy vëllezërve Haxhiaj në Durrës është shoqëruar me tensione dhe përplasje verbale në sallën e gjyqit.

Gjithçka nisi pas përfundimit të dëshmisë së Erjon Alibej, një bashkëpunëtor i drejtësisë, kur prokurori i SPAK, Behar Dibra, iu drejtua atij me fjalët: “Po si e harrove Asllan Plakun, nuk e përmende fare atë…”.

Kjo ndërhyrje e prokurorit është dëgjuar nga të pranishmit dhe ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të të pandehurit Asllan Plaku, i cili, nga kafazi i xhamtë, ka akuzuar Dibrën për presion të paligjshëm mbi dëshmitarin, duke e orientuar që të fliste kundër tij.

Ai e cilësoi këtë sjellje si të papërgjegjshme, jo profesionale dhe të ndikuar, ndërsa akuzoi prokurorin se po përpiqet të fabrikojë prova kundër tij.

Pavarësisht përpjekjes së prokurorit për të minimizuar deklaratën, duke thënë se nuk i kishte dhënë asnjë udhëzim Alibejt, Asllan Plaku vijoi të ngrejë zërin për padrejtësi dhe manipulim të procesit gjyqësor.

Plaku shprehu indinjatën se ndodhej në burg prej tre vitesh pa asnjë provë konkrete, vetëm mbi bazën e deklarimeve të të penduarve si Nuredin Dumani, dhe tani, sipas tij, po tentohet të shtohen dëshmi të reja të fabrikuara nga SPAK për ta lidhur me ngjarjen e rëndë.

Në shenjë proteste, Plaku tentoi të largohej nga salla, por u rikthye pas ndërhyrjes së avokatëve të tij.

Aktualisht, Asllan Plaku përballet me akuza të rënda nga Prokuroria e Posaçme, përfshirë “Vrasje në rrethana cilësuese” ndaj Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdijas në shkurt të vitit 2020, si dhe për pjesëmarrje në “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerje veprash penale në kuadër të këtij grupi”./Versus.al