Seanca gjyqësore e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për dosjen e njohur si “Plumbi i Artë” u shoqërua me tensione dhe ndërhyrje të pazakonta nga të pandehurit në sallë.
Përplasja nisi midis Xhuljan Hoxhës, një prej të akuzuarve në këtë proces, dhe Erion Alibejt, bashkëpunëtor i drejtësisë, tashmë dëshmitar kyç në këtë çështje. Debati verbal mes tyre detyroi trupin gjykues të kërkonte ndërhyrje për ruajtjen e qetësisë, ndërsa situata degjeneroi për disa minuta.
Një moment që tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve ishte ndërhyrja e një tjetër të akuzuari, Petrit Qoli, i cili nga kafazi i sigurisë në sallë u shpreh në mënyrë të pazakontë për kreun e SPAK, Altin Dumani.
“Xhovani Falkone shqiptar, Altin Dumani! Drejtuesi i SPAK e ka pasur lapsus që Gjykata vendos çfarë do Prokuroria. Unë kam besim te ju, se jeni…” – duke bërë në këtë moment një shenjë puthjeje të dorës, gjest që mbeti i paqartë në kuptimin e tij real: respekt, ironi apo sarkazëm.
Krahasimi me Giovanni Falcone, prokurori i njohur italian i antimafias që u vra nga Cosa Nostra në vitin 1992, është ndër më të fortët që është artikuluar publikisht ndaj Altin Dumanit — dhe në këtë kontekst, vjen nga një individ nën akuzë për pjesëmarrje në struktura kriminale. /Versus.al/







