Policia greke ka arrestuar një shtetas shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “vrasje me dashje”, teksa ky i fundit tentoi të hynte në territorin grek përmes pikës kufitare të Mavromatit (Qafë-Botë).
Arrestimi u krye gjatë orëve të mbrëmjes nga sektori i verifikimit të pasaportave në Sajadhë, në bashkëpunim me njësinë e krimeve të Igumenicës. Gjatë kontrollit, autoritetet zbuluan se ndaj shtetasit shqiptar kishte një urdhër arresti aktiv nga Interpol Tirana.
I arrestuari u shoqërua menjëherë në Komisariatin e Igumenicës, ndërsa dosja penale i është referuar Prokurorisë së këtij qyteti për nisjen e procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë.
Ky arrestim vjen në kuadër të masave të shtuara të sigurisë në kufirin greko-shqiptar, ndërsa autoritetet greke kanë theksuar përkushtimin për të bashkëpunuar me vendet fqinje në luftën kundër krimit të organizuar dhe kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. /Versus.al







