Babai i Enea Thomollarit, ka folur këtë të hënë për mediat ku dhe ka zbuluar se natën që ndodhi ngjarja, djali i tij po priste një telefonatë për tu larguar jashtë shtetit.
I ati i 29-vjeçarit u shpreh se në momentin që shpërtheu eksplozivi ai po shkonte në tualet.
“Atë natë ishte duke folur se donte të ikte jashtë, sepse nuk po i dilte viza për Gjermani, se aty ishte 3-4 vjet. Atë natë po priste ta merrnin në telefon nga Anglia, në atë moment për të shkuar në banjo shpërthen dera. Një shpërthim fatal për djalin tim. Urgjenca erdhi me vonesë, nusja i dha ndihmën e parë. E përmendi. Por kur ra për herë të dytë te divani nuk u përmend më”, ka thënë për RTSH-në i ati i 29-vjeçarit nga Elbasani.
Enea Themollari, është 29-vjeçari nga Elbasani i cili humbi jetën disa ditë më parë, më 4 tetor, pas një kalvari të gjatë vuajtjesh, ku për tre muaj qëndroi në intubim.
I riu nga Elbasani mbeti i plagosur nga një sasi tritoli që iu vendos motrave Nikolli, Gjovana dhe Alda Nikolli. Thomaraj ishte fqinji i dy të rejave dhe fatkeqësisht humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi i tritolit më 14 korrik, që ishte vendosur në katin e sipërm të pallatit ku ndodhej apartamenti i tij dhe motrave Nikolli.
Dy motrat të cilat janë shumë të njohura në rrjetet sociale, ishin përfshirë në një konflikt me Nuredin Dumanin dhe kanë akuzuar publikisht këtë të fundit se kishte porositur sulmin me tritol në shtëpinë e tyre.
29 vjeçari jetonte me dy prindërit e sëmurë dhe me vëllain e tij, gjithashtu i sëmurë. Ai ishte i vetmi që punonte në familje dhe njihej në qytet si një djalë i qetë.







