
Dy zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, ish-presidenti Ilir Meta (aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë) dhe kryebashkiaku Erion Veliaj janë ankuar për mënyrën e trajtimit të tyre në paraburgimet përkatëse ku mbahen si të pandehur teksa pritet të vendoset nëse dosjet në ngarkim të tyre do të kalojë për gjykim.
Veliaj ka thënë se shoqërimi i tij nga forca të shumta policie për në spitalin e Durrësit, ka qenë “diskriminues dhe joproporcional”. Kreu i bashkisë më të madhe të vendit ka shprehur edhe ankesa për mënyrën sesi po trajtohet në qelinë e paraburgimit të Durrësit ku qëndron prej shkurtit të këtij viti.
Nga ana tjetër, edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka patur ankesa të ndryshme përsa i takon trajtimit që i bëhet në qeli. Ai pretendon se kur del në ajrim, menjëherë vë re se shtohen masat e sigurisë, për të mos e lënë që të ajroset si të burgosurit e tjerë. Një tjetër shqetësim i Metës është kufizimi i aktivitetit sportiv dhe izolimin. Dy komisionerë kundër torturës kanë administruar ankesat dhe do t’i kërkojnë burgut të Durrësit informacion mbi planin e masave të ndërmarrë ditën që kryebashkiaku u shtrua në spital. Versus.al







