
Pas publikimit të një lajmi nga një portal shqiptar, ku Banka Kombëtare Tregtare (BKT) akuzohet si pjesë e një skeme për pastrim parash në shërbim të grupeve kriminale, institucioni financiar ka reaguar me një deklaratë të ashpër, duke i cilësuar akuzat si “të pavërteta, tendencioze dhe dashakeqe”.
Sipas raportimit të medias, BKT pretendohet të jetë përdorur për kanalizimin e miliona eurove të përfituara nga veprimtari kriminale, përfshirë trafik droge, korrupsion, evazion fiskal dhe mashtrime, me një theks të veçantë mbi përfshirjen e emrit të njohur të botës së krimit, Suel Çela. Portali referohet në "dosje hetimore" dhe "të dhëna nga organet e drejtësisë", të cilat, sipas tyre, e lidhin bankën me skemat e pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit, energjisë dhe biznese të tjera.
BKT: “Asnjë kontakt me autoritetet, asnjë hetim në zhvillim”
Në një reagim zyrtar, BKT mohon kategorikisht çdo përfshirje në veprimtari të paligjshme dhe thekson se nuk ekziston asnjë hetim ndaj saj, as nuk është kontaktuar nga ndonjë autoritet lidhur me pretendimet e përmendura. “Bëhet fjalë për një fushatë të qëllimshme për të dëmtuar reputacionin e bankës — një prej institucioneve më të besueshme në Shqipëri”, thuhet në deklaratën publike.
“Lajm i sajuar, qëllim keqinformues”
BKT e cilëson artikullin si “një narrativë të fabrikuar” që synon të implikojë padrejtësisht institucionin në një skandal që nuk ekziston. “Ky artikull është i pabazuar në fakte dhe është pjesë e një përpjekjeje të përsëritur për të njollosur bankën përmes insinuatave dhe spekulimeve,” thuhet më tej.
“Veprime ligjore në mbrojtje të reputacionit”
Banka bën të ditur se ka ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për të mbrojtur veten, drejtuesit dhe aksionarët nga dëmi reputacional që mund të shkaktojnë këto lajme. Ajo deklaron se është e hapur për çdo hetim zyrtar nga autoritetet dhe shpreh besim të plotë në përputhshmërinë e operacioneve të saj me ligjin.
“Rrezik për stabilitetin financiar dhe besimin te sistemi bankar”
Në reagimin e saj, BKT ngre shqetësimin se publikimi i lajmeve të rreme që sulmojnë pa prova institucionet financiare përbën një rrezik serioz për stabilitetin financiar të vendit. “Përpjekje të tilla përbëjnë jo vetëm një sulm ndaj një institucioni, por ndaj gjithë sistemit bankar dhe besimit të publikut,” thekson banka.
Reagimi i plotë:
BKT përgënjeshtron lajmin dashakeqës: Njollosje e qëllimshme
Së fundmi, një portal lajmesh publikoi një artikull të pasaktë dhe tendencioz, i cili u shpërnda më vonë nga disa portale të tjera dhe llogari në rrjetet sociale. Ky artikull përmendte emra të njohur për publikun e gjerë, të cilët janë nën hetim nga autoritetet ligjzbatuese, duke i lidhur ato me disa pretendime të pavërteta dhe spekulime mbi hetime që nuk ekzistojnë, për Bankën Kombëtare Tregtare, duke u përpjekur për të ndërtuar një narrativë të sajuar me qëllimin e vetëm për të implikuar padrejtësisht BKT-në.
Ne deklarojmë në mënyrë të prerë se ky artikull është plotësisht i pavërtetë dhe me qëllime keqinformuese, dhe duket se është pjesë e një fushate të qëllimshme për të dëmtuar reputacionin e BKT-së — një prej institucioneve financiare më të besueshme në Shqipëri, që operon nën mbikëqyrjen e autoriteteve rregullatore përkatëse dhe e vlerësuar vazhdimisht si një ndër bankat më të mira në Shqipëri.
Nuk ka asnjë hetim apo proces ligjor kundër BKT-së dhe banka nuk është kontaktuar nga asnjë autoritet lidhur me akuzat e përmendura në këto portale. Publikime të tilla të kësaj natyre kanë ndodhur herë pas here, dhe ne kemi ndërmarrë veprimet ligjore për të mbrojtur interesat e bankës, të drejtuesve të saj dhe të aksionarëve kundrejt dëmtimit të reputacionit të shkaktuar nga këto lajme të sajuara.
Ne jemi plotësisht të sigurtë në integritetin tonë, në mënyrën e funksionimit dhe në përputhshmëri me të gjitha ligjet dhe rregulloret në fuqi, dhe jemi të hapur ndaj çdo hetimi nga institucionet përkatëse ligjzbatuese dhe mbikëqyrëse.
Reagimi në detaje ndaj publikimeve të tilla për shkak të ligjit të mbrojtjes së të dhënave personale e kufizon bankën për t’u përgjigjur për çdo element të përmendur në këto publikime. Megjithatë, ne ritheksojmë gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar plotësisht me çdo hetim apo autoritet ligjor, nëse kjo do të kërkohet.
Ne besojmë te sistemi i drejtësisë, që do të mbrojë të drejtën e institucioneve dhe drejtuesve të tyre nga këto sulme dashakeqëse dhe lajme të pavërteta të cilat synojnë prishjen e imazhit dhe minimin e besimit ndaj institucioneve bankare përmes keqinformimit duke përbërë rrezik për stabilitetin financiar të vendit. Veprime të tilla janë të dënueshme me ligj në shumë vende të tjera.
Banka Kombëtare Tregtare mbetet e përkushtuar për të ruajtur standardet më të larta të integritetit, transparencës dhe shërbimit ndaj klientëve.
Falënderojmë klientët tanë, partnerët dhe publikun e gjerë për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. Versus.al







