AKTUALITET /

“Prioritet rrogat dhe udhëtimet’, plas sherri në KLP, Stojani-kryetares: Paga s’diskutohej as në ’97-ën, s’jemi agjenci udhëtimesh

Debati mes Stojanit dhe kryetares, ka ardhur pasi anëtari i KLP pretendoi se organi po drejtohej në mënyrë aspak profesionale.

Shkruar nga Versus
“Prioritet rrogat dhe udhëtimet’, plas sherri në KLP,
Foto: Kryetarja e KLP, Mirela Bogani (duke folur), anëtari Sokol Stojani (me xhaketë)

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, organi që pritej të reagonte për kritikat dhe akuzat që kryeministri Edi Rama ka bërë gjatë verës ndaj prokurorëve të caktuar, mesa duket ka qenë shumë i zënë duke u marrë me sherre të brendshme.

Ka qenë diskutimi për projektbuxhetin e vitit pasues ai që ka shkaktuar diskutime në mbledhjen e zhvilluar ditën e hënë në KLP ku anëtari Sokol Stojani kritikoi kryetaren Mirela Bogdani për mungesë vizioni dhe drejtim katastrofik të këtij institucioni.

Gjatë mbledhjes, sipas audios së siguruar nga A2CNN Stojani e ka cilësuar të pakuptimtë faktin që prioritet për planin e veprimit të këtij institucioni të jetë garantimi i pagave dhe 15 “retreat”-e të cilat janë organizime disa ditore jashtë institucionit, në vende të caktuara jashtë kryeqytetit.

“Po e konsideroj si kohë pushimesh dhe vape, si argumente të prezantuara në kohë pushimi dhe vape. Por më thua se ne kemi prioritete, dhe prioriteti ishte garantimi i pagave. Oh Zot! Garantimi i pagave nuk është diskutuar as në ’97-ën! As në ’97-ën! Ky është vizioni. Pastaj thotë, se do bëjmë parashikime, 15 retreat-e. 15? Çfarë jemi ne, agjenci udhëtimi? Çfarë jemi këtu? Si do kthehet kjo, në KLP TRAVEL?! Të lutem shumë!”, thotë Sokol Stojani, anëtar i KLP.

Më tej, Stojani pretendon se veprimet e kryetares Bogdani gjatë sezonit veror, kishin shkaktuar keqfunksionim të institucionit dhe shkonin deri në kufijtë e kryerjes së një vepre penale.

“Në mënyrë abuzive, zonjë kryetare, ju keni ndikuar te kryesekretaria që të mos protokollohen gjërat. Të mos protokollohen kërkesat, ankesat, korespondenca dhe çfarëdo lloj gjëje, qoftë nga qytetarët, qoftë nga personeli i brendshëm i institucionit. Ju, në mënyrë abuzive, keni anuluar, megjithëse ishit me leje dhe nuk kam asgjë, absolutisht, për lejet. Ai ikën në plazh, ai ikën në mal. Por ikët në plazh dhe, në kundërshtim me ligjin, nuk njoftuat zv.kryetarin dhe sekretarin e përgjithshëm që të vijonte normalisht institucioni. Nëse ju nuk arrini të perceptoni drejt gjëra elementare…”, deklaroi ai.

Ndërhyn Bogdani: “Tani, ky është gjykimi juaj, të lutem!”

“Të lutem, unë do bëj vlerësimet. Bëj detyrën, por duhet bërë në bazë të ligjit”, thotë Stojani.

Një tjetër kritikë e Stojanit lidhej me dokumentin që iu dha magjistratëve të rinj dhe me ceremoninë e emërimit të tyre të cilën e konsideroi “turpëruese”.

“Dokument pa titull. Dokument që nuk ka asnjë titull, asnjë lloj emërtimi. Dokument që nuk mund të quhet dokument. Ja keni dhënë atyre. Na keni vënë ne që të japim një gjë turpëruese për magjistratin. Ky është eventi më i rëndësishëm që ka magjistrati. Dhe çfarë bëhet? Si vaki. Si vaki, nuk u organizua. Nuk u morën as familjarët e tyre për të ndarë gëzimin. Nuk u ftuan as prokurorët e rretheve për t’i mirëpritur. Nuk u ftuan as personalitetet e lartë të shtetit, siç duhet të ishin”

E gjithë mbledhja e zhvilluar u përqëndrua në debatet mbi buxhetin dhe mungesën e lidershipit të mirë duke sjellë keqfunksionim të organit. Versus.al

Poll