AKTUALITET /

Protesta dhe mosbindja civile, policia thirrje PD: Bllokimi i rrugëve, vepër penale

Opozita ka paralajmëruar bllokimin e akseve kryesore të qarkullimit në kryeqytet, ndërsa policia bën thirrje që një gjë e tillë të mos zbatohet pasi përbën vepër penale.

Shkruar nga Versus

Protesta dhe mosbindja civile, policia thirrje PD: Bllokimi i rrugëve,

Policia ka dalë me një njoftim zyrtar sa i takon protestës që do të mbahet sot nga Partia Demokratike duke nisur nga ora 17:00. Në njoftimin e bërë theksohet se policia granton të drejtën për tubim, por pa penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe automjeteve.

Duke e cilësuar bllokimin e rrugëve dhe të qarkullimit si vepër penale, policia paralajmëron organizatorët. Ndërsa bën me dije se në rast bllokimit të rrugëve, do të mundësohet kalimi në segmente rrugore alternative.

Reagimi i plotë:

Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë paraqitur kërkesën për zhvillim të tubimeve, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 të datës 23.12.2024, në disa akse rrugore kryesore në Tiranë, konkretisht:   

Unaza e vogël, rrethrrotullimi te Zogu i Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Ëilson” dhe nga pallati me shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.         

Policia e Shtetit garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.

Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronave publike dhe private.

Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore në qytetin e Tiranës, Policia e Tiranës  i ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni.

Për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Shtetit apelon dhe një herë për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve.

I njëjti njoftim u bë edhe para protestës së mosbindjes civile të zhvilluar në nëntor, por deputetët nuk përfillën thirrjet duke u përplasur edhe me punonjësit e policisë. Versus.al

Poll