Partia Demokratike do të zhvillojë sot në orën 17:00 protestën e radhës në vazhdim të mosbindjes civile deri në krijimin e një qeverie teknike. Kryedemokrati Sali Berisha e ka quajtur këtë të sotmen si “mosbindjen më të madhe civile”, teksa vetë do të jetë i pranishëm për herë të parë që pas lirimit nga arresti shtëpiak ku qëndroi për 11 muaj.
Pavarësisht se data e zgjedhjeve është caktuar më 11 maj dhe vetëm pak muaj na ndajnë nga përballja elektorale, demokratët vijojnë me kërkesën e tyre për krijimin e një qeverie teknike pasi sipas tyre është garanci shtesë se Rama nuk do të përdorë instrumentet qeverisëse dhe administratën për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Si pasojë e protestës do të bllokohen edhe disa rrugë në Tiranë. Ato janë: Rruga pranë Bashkisë së Tiranës, rreth-rrotullimi tek “Zogu i Zi”, tek sheshi “Uillson”, tek “Pallati me Shigjeta”, si dhe kryqëzimi tek “Rruga e Elbasanit”, pranë xhamisë së “Namazgjasë”. Versus.al








