AKTUALITET /

Protesta e opozitës para Kryeministrisë: 11 të arrestuar dhe 22 të shoqëruar pas tensioneve dhe përplasjeve me policinë

11 persona janë arrestuar dhe 22 të tjerë janë shoqëruar pas protestës së opozitës para Kryeministrisë më 17 prill, e cila u shoqërua me tensione, përplasje me policinë dhe përdorim të mjeteve piroteknike nga disa protestues.

Shkruar nga Versus
Protesta e opozitës para Kryeministrisë: 11 të arrestuar dhe 22
Pamje nga protesta

11 persona janë arrestuar nga policia dhe 22 të tjerë janë shoqëruar pas protestës së opozitës të zhvilluar mbrëmjen e 17 prillit para Kryeministrisë, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje me forcat e rendit.

Protesta, e organizuar nga opozita dhe e udhëhequr nga Sali Berisha, u përshkallëzua në fund të fjalimit të tij, ku një grup protestuesish hodhën fishekzjarrë dhe mjete piroteknike drejt godinës së Kryeministrisë.

Në reagim të menjëhershëm, Policia e Shtetit ndërhyri për shpërndarjen e turmës, duke përdorur ujë, gaz lotsjellës dhe mjete spraj, në një operacion që sipas autoriteteve synonte të shmangte përshkallëzimin e situatës.

Ndërhyrja e shpejtë e forcave të rendit bëri që protestuesit të shpërndaheshin brenda pak minutash, ndërsa disa pjesëmarrës, përfshirë deputetë të Partia Demokratike dhe ish-kandidatin Aulon Kalaja, raportohen të kenë marrë lëndime dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

Partia Demokratike ka akuzuar Policinë e Shtetit për përdorim të tepruar force gjatë ndërhyrjes në protestë./Versus.al

Poll