AKTUALITET /

Qeveria rikthen sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet! Ndryshohet drafti që kalon për konsultim publik

Drafti i jep kompetenca ministrisë përgjegjëse për financat, duke mënjanuar pothuajse plotësisht institucionin mbikëqyrës të tregut të sigurimeve, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.

Shkruar nga Versus

Qeveria rikthen sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet!

Qeveria rikthen papritur sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet, por në një version të ndryshuar të projektligjit të mëparshëm, të diskutuar dhe konsultuar disa vite më parë, që u hartua në konsultim me Bankën Botërore.

Në draftin e hedhur të mërkurën pasdite në konsultim publik nga Ministria e Financave, propozohet në thelb të tij krijimi i Fondit për Tërmetet si një shoqëri aksionare shtetërore, e cila do të merret me gjithë procesin, si me arkëtimin e primit të detyrueshëm të sigurimit, ashtu edhe me pagesat e dëmshpërblimeve në rastet kur do të ndodhë ngjarja e marrjes në sigurim.

Drafti i jep kompetenca ministrisë përgjegjëse për financat, duke mënjanuar pothuajse plotësisht institucionin mbikëqyrës të tregut të sigurimeve, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Gjithashtu, të anashkaluara në gjithë procesin janë edhe shoqëritë e sigurimit.

Drafti jep kuadrin e përgjithshëm për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmeti, ndërkohë që aktet kryesore në zbatim të tij, që kanë të bëjnë më primin e sigurimit, shumën e sigurimit, agjentin ose agjentët që do të mbledhin primin e detyrueshëm, si edhe specifika të tjera do të dalin përmes VKM-ve.

Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet zbatohet për llojet e mëposhtme të pronave të paluajtshme: banesa dhe seksionet që ndodhen brenda banesave që përdoren si njësi, zyra apo për qëllime të tjera të ngjashme. Detyrimi për sigurim nuk do të zbatohet për ndërtesat të cilat përbëhen nga argjile/qerpiç, strukturë me fibër – kallami  ose të tjera të ngjashme; si edhe ndërtesat me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme.


Projektligji parashikon që çdo pronar banese, përfshirë edhe banesat në proces legalizimi apo banesat sociale me qira, të lidhin një kontratë sigurimi të detyrueshme kundër tërmeteve. Edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore do të kenë detyrimin të mbulojnë primin e sigurimit nga buxheti i tyre për kategoritë përkatëse. Ndërkohë, shtresat sociale në nevojë do të përfitojnë mbulim të plotë të primit nga buxheti i shtetit, sipas kritereve dhe procedurave që do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Mbulimet dhe përjashtimet e kontratës së sigurimit – Kontrata  e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet mbulon dëmet e ndodhura në pronën e siguruar, të shkaktuara nga një apo disa ngjarje tërmeti të ndodhura gjatë periudhës së vlefshmërisë së përcaktuar në policë. Përjashtohen nga mbulimi i sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet: të gjitha dëmtimet fizike trupore duke përfshirë edhe vdekjen; kërkesa për kompensim të dëmeve jopasurore; sendet brenda banesës së objektit të siguruar; shpenzimet në lidhje me heqjen dhe zhvendosjen e  mbetjeve; humbjet financiare nga ndërprerja e veprimtarisë dhe fitimi i munguar.

Primi i sigurimit – Primi i sigurimit është shuma që paguhet nga i siguruari për sigurimin e detyrueshëm të banesës, sipas këtij ligji. Primi i sigurimit paguhet nga subjekti  i siguruar si pagesë e plotë. Metodologjia e përcaktimit të primit, termat, klasifikimi i banesave mbi bazë rreziku, llogaritet me metodologji aktuariale, bazuar në modelin e rrezikut nga tërmetet të zhvilluar për Shqipërinë, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Fondit për Tërmetet pas dhënies së pëlqimit nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare. Primi miratohet nga Fondi për Tërmetet, pas marrjes së pëlqimit nga ministri përgjegjës për financat.

Shuma e sigurimit  – Shuma e sigurimit, sipas këtij ligji, është limiti maksimal i dëmshpërblimit dhe është e barabartë me kufirin e saj të detyrueshëm, i cili përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Fondit për  Tërmetet, nëpërmjet ministrit përgjegjës për financat. Pjesa e zbritshme është në nivelin e 2 (dy) përqind të shumës së sigurimit dhe mbulohet nga i siguruari për çdo dëm që shkaktohet nga ngjarjet e tërmetit të mbuluara nga sigurimi i detyrueshëm ndaj tërmeteve.

Përjashtimet nga sigurimi – Bazuar në nenin 6 të projektligjit, përjashtohen nga mbulimi i sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet: të gjitha dëmtimet fizike trupore duke përfshirë edhe vdekjen; kërkesa për kompensim të dëmeve jopasurore; sendet brenda banesës së objektit të siguruar; shpenzimet në lidhje me heqjen dhe zhvendosjen e  mbetjeve; humbjet financiare nga ndërprerja e veprimtarisë dhe fitimi i munguar.

Pagesa e dëmshpërblimit – Vlera e dëmshpërblimit për dëme që rrjedhin nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet nuk kalon në asnjë rast limitin maksimal të përgjegjësisë, sipas metodologjisë të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave. I siguruari është përgjegjës për paraqitjen e kërkesës për dëmshpërblim pranë Fondit për Tërmetet. Rregullat, afatet, kriteret dhe procedurat për pagesën e dëmeve të shkaktuara nga ngjarjet e tërmeteve përcaktohen me udhëzim te ministrit përgjegjes për financat, thuhet në draft. Dëmshpërblimi në varësi të shkallës së dëmtimit dhe masës së dëmshpërblimit, paguhet brenda tre muajve, duke filluar nga momenti i plotësimit të plotë të dokumentacionit përkatës.

 Kush nuk paguan nuk merr shërbime në Kadastër, e-albania dhe QKB – Në fund, projektligji ka parashikuar edhe masat shtrënguese për të gjithë ata qytetarë ose subjekte biznesi që nuk do të pranojnë të paguajnë primin e sigurimit të detyrueshëm. Sipas projektligjit, ata nuk do të marrin dot shërbime kadastrale, shërbime të ndryshme në e-albania, si edhe shërbime nga QKB-ja.

Shqipëria është një nga vendet më të ekspozuara ndaj tërmeteve në rajon. Sipas Raportit të Rrezikut Botëror 2021, vendi renditet i pari në Evropë dhe i 61-ti në botë për nga rreziku nga katastrofat natyrore. Vetëm në një shekull janë regjistruar 12 tërmete me magnitudë mbi 6 ballë, ndërsa tërmeti i nëntorit 2019 preku mbi 200 mijë persona dhe shkaktoi dëme që kapën vlerën e 7.5% të PBB-së. Kostoja më e madhe u përqendrua në dëmtimet e sektorit rezidencial, me 18% të banesave të prekura. Banka Botërore në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar që vendi të miratojë një projekligj për sigurimin nga tërmetet./ekofin.al

Tags:

banesa termet

Poll