
Qeveria ka vendosur gjatë mbledhjes së sotme që të autorizojë shoqërinë ‘’Kayo’’ për prodhimin dhe tregtimin e armëve apo pjesëve të tyre si dhe pajisjeve, veshjeve apo mjeteve të përshtatura për t’u përdorur nga strukturat e sigurisë.
Vendimi përmban urdhrin që kjo kompani të dërgojë pranë autoriteteve kërkuese listën e produkteve dhe shërbimeve të ofruara prej saj çdo 6 muaj. Ndërsa qëllimi është sigurimi i objekteve të kërkuara në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“KAYO” duhet të dërgojë pranë autoriteteve kërkuese listën e produkteve dhe shërbimeve që ofron vetë ose nëpërmjet shoqërive të krijuara prej saj, minimalisht çdo gjashtë muaj.
Kompania ‘’KAYO’’ u themelua në vitin 2024, duke trashëguar kapacitetet prodhuese të Uzinës së Lëndëve Plasëse Mjekës, Uzinës Mekanike Gramsh dhe Kombinatit Mekanik Poliçan. Ajo operon në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë, duke ofruar produkte dhe shërbime për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe tregjet ndërkombëtare.
Vendimi i plotë
Vendim për Autorizimin e shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., që, vetë ose nëpërmjet subjekteve të tjera të krijuara prej saj, të realizojë prodhimin dhe tregtimin e armëve ose të pjesëve të tyre, municioneve, teknologjive, pajisjeve, veshjeve dhe mjeteve, të prodhuara apo të përshtatura në territorin e republikës së Shqipërisë, apo shërbime për t’u përdorur nga strukturat e sigurisë, organet e varësisë së strukturave të sigurisë apo shoqërive aksionare shtetërore të krijuara nga këto struktura sigurie
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 5, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Objekt i këtij vendimi është:
a) autorizimi i shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., që, vetë ose nëpërmjet subjekteve të tjera të krijuara prej saj, të realizojë prodhimin dhe tregtimin e armëve ose të pjesëve të tyre, municioneve, teknologjive, pajisjeve, veshjeve dhe mjeteve, të prodhuara apo të përshtatura në territorin e Republikës së Shqipërisë, apo shërbime për t’u përdorur nga strukturat e sigurisë, organet e varësisë së strukturave të sigurisë apo shoqërive aksionare shtetërore të krijuara nga këto struktura sigurie;
b) përcaktimi i rregullave, që zbatohen nga subjektet e përcaktuara në shkronjën “a”, të kësaj pike, për furnizimin me produkte të prodhuara apo të përshtatura në Republikën e Shqipërisë apo shërbime, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, nëpërmjet shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., ose subjekteve të tjera të krijuara prej saj.
2. Qëllimi i këtij vendimi është që t’u sigurojë subjekteve të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, furnizimin me produkte apo shërbime, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, nëpërmjet shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., apo subjekteve të krijuara prej saj.
3. Shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., dërgon pranë autoriteteve kërkuese listën e produkteve dhe shërbimeve, që ofron vetë ose nëpërmjet shoqërive të krijuara prej saj, minimalisht çdo 6 (gjashtë) muaj.
4. Të gjitha autoritetet kërkuese, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, që gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre kanë të nevojshme furnizimin me produkte apo shërbime nga shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., detyrimisht i drejtohen me kërkesë kësaj shoqërie për të përfituar produktet apo shërbimet që ofron ajo, bazuar në listën e produkteve dhe shërbimeve që ofron vetë ose nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj.
5. Kërkesa, sipas pikës 4, të këtij vendimi, paraqitet në formë shkresore dhe shoqërohet me projektin për mallrat ose shërbimet e kërkuara. Në projekt përfshihen qëllimi i përdorimit, referencat ligjore, specifikimet teknike të mallrave ose shërbimeve, mënyra e zbatimit dhe vlera e projektit.
6. Shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., shprehet për mundësinë e furnizimit, sipas kërkesës së administruar nga autoriteti kërkues, me produkte apo shërbime nga vetë kjo shoqëri ose shoqëri të krijuara prej saj.
7. Në rastet kur shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., shprehet se nuk mund të furnizojë autoritetet kërkuese, në përputhje me specifikimet teknike apo projektin e parashturar, autoritetet kërkuese vijojnë me realizimin e prokurimit, sipas kuadrit ligjor në fuqi për prokurimin publik ose prokurimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
8. Në rastet kur shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., nuk shprehet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës lidhur me mundësinë e realizimit të furnizimit, kërkesa konsiderohet e refuzuar dhe autoritetet kërkuese vijojnë me realizimin e prokurimit, sipas kuadrit ligjor në fuqi për prokurimin publik ose prokurimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
9. Në rastet kur shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., mund të furnizojë autoritetet kërkuese, në përputhje me kërkesën e paraqitur prej tyre, vetë ose nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, autoritetet kërkuese hyjnë në negociata të drejtpërdrejta me këtë shoqëri për plotësimin e nevojave të tyre, në marrëveshje ndërmjet palëve.
10. Ngarkohen shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., të gjitha strukturat, që operojnë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe organet e tyre të varësisë apo shoqëritë aksionare shtetërore të krijuara prej tyre për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. Versus.al
