Ervin Mata, një nga eksponentët kryesor të trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës dhe veçanërisht Shqipërisë, raportohet se ka hyrë ilegalisht në territorin shqiptar. Kështu bën me dije një raport mediatik, duke pretenduar për informacione të sigurta nga SHISH.
Sipas të njëjtit raport, Ervin Mata i njohur dhe si “Boli i kokainës” për shkak të angazhimit të tij si drejtues dhe menaxher i lartë i një prej linjave të trafikimit të “të bardhës” nga Bolivia dhe Ekuadori, ndodhet prej dy muajsh në Shqipëri, shkruan Newbomb.
Vetëm 10 ditë pas hyrjes së tij ilegalisht në vendin tonë, thotë media, Shërbimi Informativ i Shtetit përmes agjentëve të vetë ka marrë informacion dhe ia ka përcjellë Policisë së Shtetit, ama deri tani nuk është bërë me dije të ketë patur ndonjë operacion për kapjen e tij.
Shpallja në kërkim e Ervin Matës nga SPAK në 2023
Ervin Mata është shpallur në kërkim në Nëntor 2023, pas 11 urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme, për një grup kriminal që vepron në trafikun e kokainës dhe hashashit nga Amerika Jugut, vrasjeve dhe pastrimit të parave.
Në muajt e parë të vitit 2023, media periferike raportuan se ish-partneri i këngëtares Elvana Gjata dhe një ndër personat e përfshirë në ngjarjen që mori emrin si "Masakra e ish-Bllokut", ishte zhdukur pa gjurmë në Bolivi. Mediat aluduan se disa muaj pas zhdukjes pa gjurmë së Ervis Martinaj, edhe Ervin Mata kishte pasur të njëjtin fat në Bolivi.
Mirëpo, hetimet, akuzat dhe bisedat e transkriptuara që SPAK ka siguruar nga autoritetet evropiane kanë nxjerr nga "strofulla" biznesmenin nga Tirana. Ervin Mata ishte pjesë me grupin e djalit të Erzen Breçanit dhe kishte komunikime të vazhdueshme në rrjetin e komunikimit “SKY”.
Menjëherë pasi ndaj tij u lëshua urdhër-arrest ndërkombëtar, u publikua dhe një video e fundit e Ervin Matës nga arratia. Pamjet rrëzuan pretendimet se biznesmeni nga kryeqyteti ishte zhdukur në Bolivi dhe asgjë nuk dihej në fatin e tij, sepse vetë Ervin Mata tregonte të kundërtën në kamera.








