Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Tiranë ka bërë publike të dhënat për aksionin e çlirimit të hapësirave publike të zaptuara në kryeqytet. Sipas raportit, janë liruar gjithsej 53,031 metra katrorë, ndërsa janë kryer 1,408 çmontime, prej të cilave 1,167 janë bërë në mënyrë vullnetare nga bizneset, ndërsa 241 me vendime zyrtare.
Kryeministri Edi Rama e ka quajtur këtë “fazën e parë të një transformimi më të madh”, duke theksuar se po hartohet një Rregullore Kombëtare, e cila do të përcaktojë ligjërisht se çfarë hapësirash mund të shfrytëzojnë bizneset.
Aksioni nisi në muajin korrik dhe do të shtrihet në të gjithë vendin, me synim përmirësimin e cilësisë së jetës urbane dhe standardizimin e funksionimit të bizneseve.
Për të mbështetur këtë proces, qeveria ka vënë në funksion një platformë online për denoncimin e zaptimeve, ku qytetarët mund të raportojnë rastet. Në më pak se 48 orë, janë regjistruar mbi 2,900 denoncime, prej të cilave një pjesë e vogël është zgjidhur menjëherë, ndërsa shumë të tjera janë ende në proces verifikimi. /Versus.al/







