Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me riatdhesimin e një 19-vjeçari në Shqipëri, i cili u kthye në atdhe me ndërhyrjen gjithashtu të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropës.
Policia e Shtetit njofton se u finalizua me sukses operacioni i ndihmës dhe riatdhesimit të 19 vjeçarit nga Sierra Leone drejt Shqipërisë.
“Policia e Shtetit, pasi mori në rrugë elektronike nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kërkesën e një shtetaseje që kërkonte ndihmë nga shteti për kthimin e të birit në Shqipëri, e cila pretendonte se djali i saj 19 vjeçar, ishte rrëmbyer në qytetin Freetoën, Sierra Leone, dhe më pas kishte arritur të shpëtonte duke shkuar në stacionin e policisë së këtij qyteti”, thuhet në njoftimin e policisë.
Unirormat blu bëjnë me dije se Interpol Tirana koordinoi gjithashtu me Interpol Freetown për kthimin sa më të shpejtë të 19 vjeçarit në Shqipëri.
Oficerët e Policisë së Shtetit udhëtuan drejt Sierra Leone, ku zhvilluan takim me përfaqësues të Interpol Freetown, dhe pas koordinimit të nevojshëm, u mundësua udhëtimi i 19 vjeçarit drejt Shqipërisë, i cili është realizuar pa asnjë problem.








