Ministrja e re e Shëndetësisë, Evis Sala, e ftuar në studion e emisionit Opinion, vendosi të 'qetësojë' publikun me një lajm optimist: sipas saj, pagat e mjekëve në Shqipëri nuk qenkan aq larg atyre që marrin mjekët fillestarë në Itali.
Me pak fjalë, diferenca ekziston por jo aq sa të prishë humorin e një deklarate televizive.
Ministrja shpjegoi se një mjek që nis punë në Itali fiton rreth 3 mijë euro bruto, që pas taksave zbresin në rreth 1.7 mijë euro, ndërsa në Shqipëri paga shtetërore është mbi 1 mijë euro.
Ajo shtoi gjithashtu se mjekët shqiptarë kanë luksin profesional të punojnë edhe në privat për të shtuar të ardhurat një detaj që tingëllon bukur në teori por ndryshe në realitet pasi siç duket ministrja nuk ishte e plotësisht e informuar për ndryshimet ligjore që kanë ndodhur më parë në vend.
Që në vitin 2014, ligji i ri për Urdhrin e Mjekëve ka vendosur kufizime të qarta mbi kohën që mjekët mund të punojnë në privat, si dhe procedurat për lejen që duhet marrë nga drejtuesi i spitalit ose poliklinikës ku janë të punësuar.
Sipas asaj që u bë me dije asokohe, mjekët në sektorin publik që kryejnë 40 orë punë javore, ndërsa në sektorin privat mund të angazhohen vetëm deri në 30% të orarit të tyre publik.
Ndryshimet ligjore parashikojnë gjithashtu se shefat e shërbimeve që zotërojnë klinika private nuk mund të vazhdojnë të drejtojnë këto institucione pa vendim të posaçëm.
Ligji parashikon masa ndëshkimore për ata që shkelin këto dispozita, duke përfshirë edhe mundësinë e heqjes së licencës./Versus.al

