AKTUALITET /

SHBA godet hakerat iranianë, mes tyre edhe “Homeland Justice” që sulmoi Shqipërinë

SHBA ka mbyllur disa faqe interneti të lidhura me Iranin, të përdorura për propagandë terroriste dhe kërcënime ndaj kritikëve të regjimit. Sekuestrimi vjen pas sulmeve të fundit në SHBA dhe heton përdorimin e sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve për të frikësuar gazetarë, disidentë dhe qytetarë izraelitë.

Shkruar nga Versus

SHBA godet hakerat iranianë, mes tyre edhe “Homeland Justice”

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së njoftoi të enjten se ka mbyllur disa faqe interneti që përdorej nga Irani për “operacione psikologjike”, duke synuar kritikët e regjimit dhe duke shpërndarë propagandë terroriste.

Sipas Departamentit, Ministria iraniane e Inteligjencës dhe Sigurisë përdorte këto faqe për të postuar të dhëna të vjedhura gjatë sulmeve kibernetike, përfshirë edhe Shqipërinë, dhe për të nxitur vrasjen e gazetarëve, disidentëve dhe qytetarëve izraelitë.

Një nga portalet kishte lidhje me organizatën “Homeland Justice”, e cila sulmoi Shqipërinë, ndërsa lajmet e publikuara aty u përshkruan si propagandë iraniane.

Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi paralajmëroi: “Propaganda terroriste online mund të nxisë dhunë në botën reale”, ndërsa drejtori i FBI-së, Kash Patel, shtoi se agjencia do të ndjekë çdo aktor pas këtyre kërcënimeve dhe sulmeve kibernetike, duke përdorur të gjithë fuqinë e ligjit amerikan.

Sekuestrimi i faqeve vjen një javë pas dy sulmeve të lidhura me terrorizmin në SHBA: një sulm në Universitetin Old Dominion në Norfolk, Virginia, dhe një tjetër në Temple Israel në West Bloomfield Township, Michigan.

Departamenti i Drejtësisë bëri me dije se faqet e sekuestruara postonin foto, emra dhe informacione të ndjeshme për 190 persona të lidhur me qeverinë izraelite, së bashku me kërcënime dhe paralajmërime. Faqet ishin të përfshira edhe në sulme të tjera kibernetike dhe thirrje për vrasje ndaj personave iranianë.

“Aktorët e këtyre faqeve drejtonin kërcënime online ndaj individëve që kritikuan publikisht qeverinë iraniane,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se qëllimi i fushatave ishte të “pengonin raportimin e pavarur” dhe të krijonin frikë tek anëtarët e diasporës iraniane kritikë ndaj regjimit.

Poll