Policia e Tiranës ka arrestuar pronarin e sallonit të bukurisë Adélse Hair Institute, ndërsa bashkëshortja e tij është proceduar penalisht, në kuadër të një hetimi për disa vepra penale që lidhen me aktivitetin tregtar të tyre.
Operacioni i koduar “Kolektivi”, i zhvilluar nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, u ndërmor pas kallëzimit të pesë shtetaseve, të cilat deklaruan se ishin shfrytëzuar në vendin e punës dhe nuk ishin paguar për shërbimet e kryera, duke u mashtruar nga punëdhënësit.
Agjentët ndërhynë në ambientet e biznesit në zonën e Kompleksi Delijorgji, ku arrestuan pronarin, 41 vjeç, Besmir Aliko ndërsa për bashkëshorten e tij, 38 vjeçe, Kaltrina Balaj materialet u referuan për ndjekje penale në gjendje të lirë.
Sipas hetimeve paraprake, çifti dyshohet se nuk u kishte dhënë pagat pesë estetisteve që kishin punësuar, me një detyrim total prej rreth 20 250 euro.
Materialet procedurale i janë dërguar Prokuroria e Tiranës, për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj tyre rëndojnë akuzat për “Mashtrim”, “Punësim të paligjshëm”, “Fshehje të të ardhurave”, “Mospagim taksash e tatimesh” dhe “Kontrabandë me mallra të tjera”./Versus.al


