
Pasi iu konfimua masa e sigurisë “arrest me burg” nga gjyqtari Erion Çela, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është dërguar për në qelinë e tij në bllokun e sigurisë, por jo për shumë kohë.
Siç edhe është procedura në të tilla raste, edhe Meta është dërguar në qelinë e tij në bllokun e veçantë në burgun 313 në rrugën “Jordan Misja”, ku edhe pritet të kalojë pjesën tjetër të ditëve deri sa të dalë në gjyq.
Por ndryshe nga të dënuarit e tjerë, drejtuesit e burgjeve kanë menduar që Metën fillimisht ta vendosin në qelinë e cila survejohet gjatë 24 orëve.
Ky vendim është marrë pas situatave të kaluara në sallën e gjyqit, ku kryetari i Partisë së Lirisë, sulmoi prokurorët Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi.
Dy netët e fundit ai i ka kaluar në këtë qeli, ndërsa ende nuk dihet sa do të qëndrojë, për shkak se do të vendosin drejtuesit e burgut.
Por nga të dhënat e mësuara, ndryshe nga situata e krijuar në sallën e gjyqit, sjellja e Metës në qelinë e paraburgimit ka qenë e qetë dhe pa problematikë.
Në ajrosje, Meta ka dalë i vetëm në një ambient të veçuar për shkak të pozicionit të tij si person ende nën hetim.
Sipas asaj çfarë parashikohet në rregulloren e brendshme të burgu, Ilir Meta, mund të qëndrojë në dhomën e survejimit nga 1 deri në 10 ditë. Pasi të kryehen të gjitha procedurat, shëndetësore, rrezikshmërisë, por edhe statuseve që ka mbajtur gjatë jetës së tij në politikë, Meta pritet të vendoset në dhomat normale të paraburgimit, deri në përfundim të procesit gjyqësor ndaj tij.
Mësohet se i vetmi që ka pasur komunikim më ish Presidentin Ilir Meta, ka qenë avokati i tij mbrojtës.








