
Një skemë e dyshuar mashtrimi e realizuar përmes teknologjisë së Inteligjencës Artificiale është goditur nga Policia e Shtetit në Tiranë, duke çuar në arrestimin e dy personave.
Në pranga kanë rënë Kledis Muzhaqi dhe babai i tij, Kujtim Muzhaqi, të cilët dyshohen si organizatorë të skemës. Sipas burimeve hetimore, po verifikohen edhe persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në mashtrime të ngjashme.
Hetimet kanë nisur pas një incidenti ku një drejtues i një kompanie shtetërore ka marrë një mesazh të dyshimtë në aplikacionin e enkriptuar “Signal”, ku i shkruhej: “Si jemi me objektivat?”.
Pak më pas, ai ka marrë një video-thirrje ku, sipas tij, në ekran është shfaqur një imazh që i ngjante kryeministrit Edi Rama, çka e ka bërë të besojë se po komunikonte me të vërtetë me një zyrtar të lartë shtetëror.
Menjëherë pas telefonatës, drejtori ka marrë një mesazh tjetër ku i kërkohej të dërgonte një shumë parash, e dyshuar fillimisht si 60 mijë euro, në një destinacion të caktuar në Elbasan.
Fillimisht i hutuar, por më pas dyshues, ai ka njoftuar Policinë e Shtetit. Pas kallëzimit, është organizuar një operacion i posaçëm i Seksionit Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës, ku të dy të dyshuarit janë arrestuar në momentin e ndërhyrjes.
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “arrest në shtëpi” për Kledis Muzhaqin dhe “arrest me burg” për Kujtim Muzhaqin.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se grupi hetimor dyshon se babë e bir nuk kanë vepruar të vetëm dhe se në skemë mund të jenë të përfshirë edhe persona të tjerë të njohur për raste të mëparshme mashtrimi.
Sipas të dhënave paraprake, autoritetet dyshojnë se imazhi i përdorur në video-thirrje është gjeneruar me Inteligjencë Artificiale, një metodë që po shihet gjithnjë e më shpesh në mashtrime të sofistikuara online, ku synohen zyrtarë dhe persona me pozita drejtuese.
Rasti ka ngritur shqetësime për rrezikun në rritje të përdorimit të teknologjisë AI në krime financiare, ku manipulimi vizual dhe psikologjik mund të çojë në humbje të mëdha brenda pak sekondash komunikimi. (infonews)

